Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LVV e quan përpjekje të kundërligjshme formimin e komisionit hetimor për energjinë

Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila e ka quajtur të përpjekje të kundërligjshme formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“Sot ishim dëshmitarë të një përpjekje të kundërligjshme për të votuar formimin e një komisioni hetimor parlamentar. Sot ishte përpjekja e dytë e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së të cilët në kundërshtim me rregullat për formimin e komisionit hetimor parlamentar të vendosin para aktit të kryer, seancën plenare të Kuvendit”, ka deklaruar Kusari Lila.

Ajo tha se LVV-ja nuk ka asgjë për të fshehur në lidhje me masat e marra gjatë gjendjes së jashtëzakonshme me energjinë dhe se nuk mund të ja bëjnë numrat opozitës.

“LVV nuk kanë asgjë për të fshehur në raport me kërkesat për hetim parlamentar për masat e marra gjatë gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë, megjithatë ne nuk mund të ia bëjmë numrat opozitës në këtë rrethanë, në veçanti jo në situatën kur parashohin të bëjnë shkelje në raport me normat ligjore e gjithashtu krahas tyre t’i pranojmë etiketimet, fyerjet dhe gjithashtu paragjykimet se çdokush që është në opozitë sillet njëjtë sikurse është sjellë opozita e sotme”, ka thënë Kusari Lila.

“Ajo çka po shohim sot është një çështje kundërthënëse duke u kërkuar mbështetja jonë, por ne duke u akuzuar ende pa filluar një proces i tillë”, shtoi ajo.

Kusari Lila tha se partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK me Listën Serbe “e kishin kurthuar vetën në një vendimmarrje që nuk lejonte hapësirë për të caktuar një kryesues të komisionit hetimor parlamentar”.

“Ishte sot evidente se rrethanat në të cilat ishin mbledhë nënshkrimet nga përfaqësuesit e të gjitha grupeve parlamentare, përfshirë edhe përfaqësuesin e grupit parlamentar të Listës Serbe, opozita ishte kurthuar në këtë rast, PDK, LDK dhe AAK bashkë me Listën Serbe kishin kurthuar vetën në një vendimmarrje që nuk lejonte hapësirë për të caktuar një kryesues të komisionit hetimor parlamentar”, theksoi ajo.

Kusari Lila shtoi se nuk do ju dalë në ndihmë opozitës përderisa siç tha ajo, ata bëjnë gabime të cilat përcjellen me shkelje të normave ligjore.

“Deri në një rrethanë kur ata nuk ofrojnë një zgjidhje e cila është e pranueshme në të cilën ne natyrisht do të kontribuojmë sikurse kemi kontribuar dhe vazhdojmë të kontribuojmë edhe për demokracinë edhe për punën e parlamentit, ne nuk mund të ju dalim në ndihmë përderisa ata bëjnë gabime të cilat përcjellën me shkelje të normave ligjore”, tha Kusari Lila.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi tha se është pro themelimit të komisionit hetimor në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën.

“Ne jemi për komisionin hetimor, pra për themelimin dhe funksionimin në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës”, tha Rrustemi.

Ai tha se nuk votojnë diçka që është në kundërshtim me ligjin për hetim parlamentar dhe me Kushtetutën

“Opozita apo partitë politike, PDK, LDK dhe AAK janë futur vetë në bllokadë procedurale dhe tash akuzojnë mazhorancën. Nuk mund të na kërkohet që të votojmë diçka që ne jemi të bindur që është në kundërshtim me ligjin për hetim parlamentar dhe me Kushtetutën”, deklaroi Rrustemi.

“Dua të theksoj se këto parti politike, këto raste që i kanë objekt të propozimit të tyre për hetim parlamentar njërën e kanë drejtuar në Prokurori e tjetrën në Gjykatë. Duhet të përqendrohen, ta kenë të qartë, apo presin që sistemi gjyqësor të jep përgjigje juridike apo të ketë hetim parlamentar”, shtoi ai.

Për deklaratën e kryeprarlamentarit, Glauk Konjufca i cili doli në mbështetje të opozitës për formimin e komisionit hetimor, Kusari Lila tha se është një qasje për të u përshëndetur dhe se është kompetencë e Konjufcës që të marrë qëndrim.

“Konjufca e udhëheq seancën dhe gjithmonë e bën këtë me përkushtim përkundër faktit që forca politike e opozitës është më e vogël se e opozitës. Kjo qasje është për të u përshëndetur dhe është tërësisht në kompetencë të tij të marrë qëndrimin apo të deklaroj atë që tha sot në seancë”, ka thënë Kusari Lila.

Me pjesëmarrjen e vetëm 33 deputetëve në votim, nuk ka kaluar në Kuvendin e Kosovës mocioni procedural për të futur në rend të ditës formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK e kanë lëshuar seancën duke deklaruar se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim deri në formimin e këtij komisioni.

Formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës, nuk kishte kaluar në seancën e Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 28 mars të këtij viti.

Deputetët e partive opozitare PDK, LDK dhe AAK pas mos votimit të këtij komisioni kishin lëshuar sallën e Kuvendit.

Nuk formohet komisioni hetimor për krizën energjetike, opozita lëshon sallën