Albin Kurti, Foto: Lëvizja Vetëvendosje, 17.06.2024

LVV e nominon Kurtin si kandidat për kryeministër

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka nominuar kryetarin e saj, Albin Kurtin si kandidat për kryeministër për zgjedhjet e ardhshme nacionale që do të mbahen më 09.02.2025 në Kosovë.

Kështu njoftoi LVV0-ja pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

“Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, njëherazi Kryeministri i Republikës së Kosovës, është kandidati, i nominuari, është Kryeministri i Qeverisë Kurti 3 që do të jetësohet në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Urime” – u tha në njoftim.

Albin Kurti është kryetari i partisë Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministër i Kosovës.

Kurti ka qenë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Republikës së Kosovës për tri mandate me radhë. Ai gjithashtu ka shërbyer si Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Republikës së Kosovës në vitet 2011-2014.

Në tri palë zgjedhje të njëpasnjëshme parlamentare në Kosovë, më 2017, 2019 dhe 2021, Kurti ka qenë kandidat i LVV-së për kryeministër.

Në zgjedhjet e mbajtura më 14.02.2021, lista e LVV-së fitoi 50.28% të votave, ndërkaq Qeveria Kurti 2 u votua më 22.03.2021.