LVV e LDK formojnë grupet punuese, ende s'ka takime

Përderisa ende nuk ka përfunduar procesi i numërimit të të gjitha votave të zgjedhjeve të 6 tetorit, dy partitë që dolën të parat, LVV dhe LDK kanë filluar diskutimet për bashkëpunime, ndonëse nuk kanë pasur ende takime konkrete.

Sot janë bërë 1 javë prej takimit të Albin Kurtit me Isa Mustafën e Vjosa Osmanit, ku u tha se janë dakorduar për të formuan qeverinë e re së bashku.

““Jemi dakorduar ta kemi 30 përqind gra edhe në mesin e Ministrave dhe Zv/ministrave. Do të kemi shumë më pak ministri dhe shumë më pak Zv/ministra. Uruam njëri tjetrin për gjithçka dhe besoj se do të na shkojë mbarë e mirë”, kishte thënë Kurti pas takimit.

Mirëpo, një ditë më vonë, në LDK thanë që diskutimet për arritjen e koalicionit mes LVV-së dhe LDK-së do të bëhen vetëm pas certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ-së.

Megjithatë, LDK nuk e kishte përjashtuar që takimet në nivel teknik nga grupet punuese të të dyja partive të takohen.

Sot , Vetëvendosje e ka konfirmuar se janë formuat grupet punuese, por që takime nuk ka pasur deri më tani.

“Grupet punuese janë formuar por ende nuk ka pasur ndonjë takim deri këto ditë, por po presim që këto ditë të zhvillohen takime mes grupeve punuese. Në grupin e punës të Lëvizjes Vetëvendosje janë Glauk Konjufca dhe Besnik Bislimi”, i kanë thënë KALLXO.com nga zyra e mediave të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në anën tjetër, KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e LDK-së, Besian Mustafa, mirëpo ende s’kemi marrë përgjigje.

Sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje ka rreth 5 mijë vota më shumë se LDK, pa llogaritur votat e diasporës dhe atyre me kusht.

Numërimi i votave të diasporës përfundoi sot në orët e para të mëngjesit, ku LVV ka marrë shumicën e votave, mbi 50%.

Ndërsa sot ka filluar numërimi i votave me kusht dhe votat e personave me aftësi të kufizuara.