LVV e akuzon LDK-në për shkelje ligjore gjatë renovimit të zyreve te Kompleksi ‘Qafa’

Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka akuzuar LDK-në lidhur me renovimet që janë bërë në zyrat e kësaj partie tek kompleksi Qafa.

Arianit Beqiri asamblist në komunë citoi edhe një fjalim të kryetarit Rama kur ishte pyetur për këto ndërhyrje në një mbledhje të Kuvendit Komunal.

“Ky është një skandal i LDK-së dhe komunës së Prishtinës, në mbledhjen e parë të Kuvendit Komual e kemi pyetur kryetarin lidhur me renovimet që janë bërë në objektin te Qafa dhe kështu na është përgjigjur ai: “Sa i përket fasadës tek Qafa, nëse ai proces nuk ka leje hiqet, mirëpo ato intervenime tash duhet të jenë me karakter të asaj ndërtese. Duhet në relacion me trashëgiminë kulturore arkitektonike. Pra, nëse aty ka diçka ilegale, ato do hiqen, nuk ka lidhje e kujt është ajo ndërtesë”, citoi Beqiri.

Ai tha se LVV ka kërkuar të shoh nëse ka pas aplikim për leje në komunë lidhur me këto punime dhe kanë kuptuar se kjo kërkesë është refuzuar.

“Ne kemi kërkuar të shohim nëse LDK ka aplikuar për leje, dje kemi marr një email lidhur më këto punime, ato janë pa leje, ku është refuzuar kërkesa për këto ndërhyrje”, shtoi më tej Beqiri.

“Më 6 maj 2021, LDK aplikuar për leje ndërtimore dhe rrënimi për kategori të parë dhe të dytë të ndërtimeve, më datë 10.08.2021 kjo kërkesë është refuzuar. Punimet janë kryer në janar 2022”, shtoi më tej ai.

Asamblisti Beqiri potencoi se LDK nuk ka pas pëlqim as nga Ministria e Kulturës, departamenti për trashëgimi kulturore lidhur me këto punime.

“Pala nuk ka pas as pëlqimin e banorëve tek njësia e ndërtesës kolektive ku janë kryer punimet. Objekti i LDK-së në këtë kompleks sipas MKRS-së gjendet brenda zonës historike të qytetit dhe nuk është dhënë ndonjë kërkesë për pëlqim”, shtoi ai.

Ai shtoi se LDK në kundërshtim me vendimin e drejtorisë së urbanizmit ka bërë këto ndërhyrje dhe për këtë janë duke përgatitur edhe një kallëzim penal.

Kurse, shefi i grupit të asamblistëve në LVV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla tha se komuna nuk ka përfillur ligjet dhe institucionet.

“Këtu po flasim për një rast që ka nis në vitin 2021, në qendër të Prishtinës në kundërshtim me organet kompetente”, tha Sveçla.

Sipas tij, Komuna dhe kryetari janë dorëzuar para LDK-së.

“Nuk besonim që një arkitekt të mbyllë sytë para një akti të tillë. A është ky transformimi për të cilin po flet komuna. Mungesa e fuqisë politike të kryetarit me LDK-në janë evidente. Kjo u dëshmua edhe me emërimin e aksionarëve në ndërmarrje publike”, shtoi ai.

Humbja e identitetit arkitektonik të objekteve ikonike të Prishtinës