Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
LVV dhe PDK arrijnë koalicion për ta qeverisur Gjilanin
Në Gjilan, Lëvizja Vetëvendosje (LVV ) ka arritur koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Sipas kësaj marrëveshjeje, posti i nënkryetari të komunës si dhe katër drejtori pritet të udhëhiqen nga PDK-ja.
Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com Riad Rashiti, UD i kryetarit të degës së PDK-së në Gjilan, i cili ka theksuar se ende nuk kanë diskutuar emrin e nënkryetarit dhe të drejtorëve.
“Është arritur marrëveshja mes PDK dhe LVV-së. PDK do të marrë pozitën e nënkryetarit të komunës si dhe 4 drejtori. Drejtoria për Buxhet dhe Financa, Drejtoria e Bujqësisë, Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe drejtoria e Shëndetësisë do të udhëhiqen nga PDK”, tha ai.
Sot pritet që rreth orës 15:00, Kuvendi Komunal në Gjilan ta zgjedh kryesuesin.
Komuna e Gjilanit udhëhiqet nga Alban Hyseni i LVV-së i cili fitoi në balotazhin e 14 nëntorit ndaj Lutfi Hazirit të LDK-së .
Në bazë të rezultateve nga 35 ulëse sa i ka Kuvendi Komunal i Gjilanit, LDK-ja do të ketë 14 ulëse, Lëvizja Vetëvendosje 10 ulëse, PDK-ja ka 5 ulëse, AAK-ja ka 2 ulëse ndërsa me nga një ulëse do të përfaqësohen AKR, LS, Vatra dhe PDTK-ja.
Sot pritet të mbahet seanca për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal në Gjilan