Foto: KALLXO.com

LVV ankohet në PZAP për mos numërimin e votave nga diaspora që arritën me vonesë

Lëvizja Vetëvendosje iu është drejtuar me ankesë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për mosnumërimin e një pjese të dërgesave postare me fletëvotime të ardhura nga diaspora.

KQZ është arsyetuar se pakot me fletëvotime kanë ardhur pas 6 tetorit, datës së zgjedhjeve parlamentare.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se janë 4 mijë e 639 dërgesa postare që duhet të numërohen.

“Mbrëmë u numëruan 13 mijë e 491 fletëvotime të votuesve nga mërgata. Presim që PZAP, të marrë vendim brenda afateve ligjore dhe të urdhërojë KQZ-në, shërbimin për votimin jashtë vendit, që pa vonesë të procedojë për numërim të gjitha fletëvotimet e ardhura nga mërgata jonë”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Tutje, LVV thotë se arsyetimet për të mos i pranuar këto pako postare me fletëvotime po cënojnë demokracinë.

“Arsyetimet procedurale që artificialisht po i mbivendosen vullnetit të lirë të zgjedhësve nga mërgata e cenojnë demokracinë. Andaj ato fletëvotime duhet të numërohen”, thuhet tutje në komunikatën e LVV-së.

Sot në orën e para të mëngjesit ka përfunduar numërimi i 13 mijë e 491 votave nga diaspora, ku më shumë se gjysma e votave i kanë shkuar Lëvizjes Vetëvendosje.

Ky është rezultati përfundimtar nga numërimi i votave të diasporës