Konferenca e Lëvizjes Vetëvendosje, Foto: KALLXO.com

LVV akuzon opozitën se po gënjen për shpenzimet për tekstet shkollore

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka mohuar deklarimet e dy grupeve të tjera parlamentare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, në lidhje me shpenzimet e ndara për tekstet shkollore.

Armend Muja, deputet i LVV-së, tha se opozita po gënjen dhe po manipulon nëpër konferenca dhe studio televizive për buxhetin e ndarë për subvencionimin e teksteve shkollore, pasiqë sipas tij realiteti është krejt ndryshe.

Muja në një konferencë për media tha se shpenzimet e këtij viti janë në të ulëtat që janë bërë ndonjëherë.

Ai tha se edhe pse shifrat janë lehtë të verifikueshme në Thesar, po haset një insistim i vazhdueshëm nga opozita që të gënjejnë me shifrat e shpenzimeve për tekste shkollore, dhe sipas tij, “kjo fillon të bëhet pakëz edhe e frikshme”.

“Në rast se të dhënat merren zyrtarisht nga Thesari dhe thuhet se në vitin 2023 janë shpenzuar 5.7 milionë euro në vitin 2023 për tekste shkollore, cili është insistimi që vazhdimisht para mediave dhe në studio televizive të gënjehet se po shkaktohen 11 milionë ose 20 milionë”- tha Muja në konferencë më 16.08.2024.

Muja, tha se Grupi Parlamentar i PDK dhe LDK-së po gënjejnë haptazi në lidhje më këtë çështje.

Ai tha se dallimi mes vitit 2023 dhe vitit 2024, është se në vitin 2023 kanë qenë tekstet vetëm për shkollimin fillor, ndërsa këtë vit do të jenë edhe për shkollimin fillor dhe të mesëm të ulët.

“Pra do të ketë rreth 212 mijë nxënës që do të përfitojnë. Kjo shifër siç parashihet në planifikimin fillestar është 13 milionë që janë alokuar që të mbukphen të gjitha nevojat për tekste shkollore. Përveç kësaj shifre në dy vite radhazi Ministria e Arsimit është duke alokuar edhe një shifër shtesë, linjë të veçantë buxhetore, që është për çanta, fletore, lapsa. është linjë që më herët nuk ka ekzistuar, para vitit 2023”- tha Muja.

Ndërkaq, Arjeta Fejza, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje tha se vendimi u atakua menjeherë dhe fuqishëm nga opozita, të cilët pse kanë informata të bollshme se si ka shkuar procesi në vitet e kaluara, preferojnë modelin e vjetër të pajisjes.

“Furnizimi me libra po bëhet pa ndërmjetësimin e grupeve të interesit. Librat nuk po shërbejnë për të bërë biznes e një gjë e tillë duket se po e pengon opozitën”- tha Fejza.

Ajo tha se ppozita nuk gjë pa thënë për këtë proces sa që edhe inicioi komision hetimor, por në fund vetë e sabotuan kur e panë që nuk ka gjetje. 

Për subvencionimin e teksteve shkollore do të ndahen nga 80 euro për nxënësit nga klasa 1 deri në 5, dhe nga 110 për nxënësir nga klasa 6-9.

“Ky proces për vitin e dytë me radhë ka për qëllim të ruajë buxhetin e shtetit duke mënjanuar çdo mundësi abuzimi, dhe në anën tjetër prondërit do të blejnë vetëm librat që ju duhet fëmijëve të tyre dhe nuk do të grumbullohen stoqe nëpër shkolla”- tha Fejza.

Fejza tha se brenda mbi 60 mijë prindër kanë aplikuar brenda 24 orëve

Ndërkaq, për pretendimet e PDK-së dhe LDK-së që me një sistem të tillë po maltretohen prindërit, Muja tha se fakti që prindërit do jenë pranë librarive me fëmijët të tyre dhe për dy grupet parlamentare kjo quhet maltretim, një gjë e tillë tregon shumë për ta.

“Kjo madje do jetë stil i jetës së PDK-së dhe LDK-së. Të qenurit me fëmijët pranë librarive jo vetëm që është metologjikisht, konceptualisht edhe në aspekte psiko-social, në bazë të gjitha studimeve mbi arsimin, angazhimi i prindërve në arsim është oblimg dhe rekomandim për arritshmërinë e nxënësve. Kjo nuk do duhej të ishte maltretim assesi, mbase është maltretim për bejlerët që në fakt valtojnë, apo ju qajnë hallin të tjerëve”- shtoi Muja.

Muja tha se në vitin 2023, 198 mijë kanë aplikantë për të përfituar nga subvencionet, nga 2,012 nxënës.

Sipas tij, rreth 1,200 kanë pasur probleme teknike për shkak se nuk kanë pasur llogari paraprake, numrin e xhirollogarisë në mënyrë të gabuar, ose të dhënat gabim.

“Të gjitha pretendimet për manipulime, është e pamundur të abuzohet përderisa angazhohen prindërit në vendimarrje”- tha ai.

Muja i kundëreagoi deklarimeve të opozitës që çështja e subvencionimeve të shkoj në Prokurorinë Speciale për hetime. 

“Ka filluar të bëhet intriguese kjo. Këta në fakt po tregojnë diçka për veti. Në mes të vitit 2008-2021, i bëj edhe une thirrje Prokurorisë Speciale të hetoj çfarë është bërë në të kaluarën”- tha ai.

Opozita edhe këtë vit po kundërshton mënyrën e subvencionimit të librave.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu pretendon se Ministria e Arsimit do të shpenzojë 20,123,240 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.

Në një konferencë për media më 16.08.2024, ai së bashku me deputetin tjetër të PDK-së, Ardian Kastrati kanë kritikuar ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore.

Haxhiu ka vlerësuar se shpenzimi mbi 20 milionë për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për të cilin pretendojnë, është keqpërdorim, ‘zhvatje’ e buxhetit të shtetit, sepse ai pretendon se oferta e shtëpive botuese në vitin e kaluar ka qenë 4 milionë e 800 mijë euro. 

“Nga 4 milionë e 800 mijë euro, brenda një viti Ministria (e Arsimit) ka planifikuar t’i shpenzojë mbi 20 milionë euro apo thënë shkurt mbi 15 milionë euro të buxhetit të shtetit bëhen rrush e kumbulla dhe për këtë duhet Prokuroria e Kosovës me urgjencë të veprojë dhe të ndalojë këtë keqpërdorim” – ka thënë Haxhiu.

Sipas deputetit Ardian Kastrati, subvencionimi i blerjes së librave dhe mjeteve mësimore përbën dhunë psikike dhe fizike ndaj qytetarëve. 

“Përgjegjësi kryesor është Albin Kurti, sepse ne do të bëjmë një pyetje p.sh gruaja e Albin Kurtit a do të pret nëpër librari sikur prindërit e tjerë, sikur gjithë prindërit e tjerë që kanë me prit me orë e me orë të tëra përmbi 30 gradë (Celsius)? Jo” – ka thënë Kastrati.

Ngjashëm u shpreh edhe LDK-ja.

“Shprehim shqetësimin tonë që për herë të dytë Ministria e Arsimit dështon t’i sigurojë librat shkollorë dhe kjo dëshmon që kjo Ministri është e paaftë” – tha Jehona Lushaku, kryetare e Forumit të Gruas në LDK dhe drejtoreshë e Arsimit në Prishtinë në një konferencë për media, më 14.08.2024.

Si element shumë i rëndësishëm po konsiderohet mungesa e mekanizmave që masin rezultatet e kësaj metode të re dhe nëse prindërit i kanë blerë librat.

“Sa prindër nuk janë subvencionuar? Sa prindër që nuk jetojnë në Kosovë janë subvencionuar? A kanë shkuar paratë për blerjen e librave?” – ishin disa prej pyetjeve të ngritura nga Lushaku, e cila shoqërohej nga një grup njerëzish, pjesë e departamentit të arsimit në LDK.

Përveç se i gabuar, LDK po e cilëson vendimin edhe si të vonuar, duke qenë vetëm dy javë larg nisjes së vitit të ri shkollor.Si rrjedhojë, LDK konsideron se nxënësit nuk do të mund t’i kenë librat me 2 shtator dhe procesi mësimor do të pësojë humbje.

Armend Muja tha se janë brenda afateve kohore, dhe se kanë kohë edhe 10 ditë.

Qeveria e Kosovës i ka dedikuar 13,875,138 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Shuma prej 13,875,138 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025 është dedikuar në kuadër të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 14.08.2024.

Sipas Përparim Kryeziut, dedikimi i mjeteve për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore në mbledhjen e Qeverisë më 14.08.2024 është bërë në dy vendime të ndara.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, më 13.08.2024 në një konferencë për media ka deklaruar se edhe këtë vit shkollor do të subvencionohet blerja e librave ngjashëm si në vitin e kaluar shkollor, 2023/2024.

“Edhe sivjet tekstet dhe mjetet mësimore do të ofrohen sipas praktikës së vitit të kaluar, pra subvencionimit të prindërve të cilët do të kenë mundësi të aplikojnë (për subvencionim) që nesër” – ka thënë Nagavci, më 13.08.2024.

Në vitin shkollor 2023/2024, Ministria e Arsimit kishte subvencionuar me nga 80 euro prindërit e nxënësve të klasave 1 deri në 5 për blerjen e librave dhe mjeteve mësimore, kurse ata të nxënësve të klasave 6 deri 9 me 30 euro vetëm për blerjen e mjeteve mësimore.