LVV akuzon kryetarin e Lipjanit Imri Ahmeti dhe zyrtarët e tij për sulm ndaj aktivistëve dhe asamblistëve

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan ka reaguar pas seancës së mbajtur në Kuvendin Komunal të Lipjanit nën pretendimin se aktivistë dhe asamblistë të kësaj partie janë sulmuar nga kryetari i Komunës, Imri Ahmeti, dhe asamblistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, LVV ka thënë se aktivisti i tyre është sulmuar nga kryetari i Komunës.

“Sot, teksa po vazhdonte punimet seanca e Kuvendit Komunal në Lipjan, aktivistë dhe asamblistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, u sulmuan nga Kryetari i Komunës e shpura e tij në mënyrë të ulët, duke shpifur e kërcënuar aktivistin Blerton Vehapi, i cili po merrte pjesë në seancën publike të Kuvendit”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se asamblistët e LDK-së kanë sulmuar asamblistët e LVV-së.

LVV ka publikuar video nga rasti i pretenduar.

Lidhur me këto pretendime, KALLXO.com ka kërkuar një qëndrim nga kryetari Imri Ahmeti por ende nuk ka marrë përgjigje.