Lutja e vëllait të Liridona Ademajt: Informacionet rreth vrasjes së motrës ndani me Policinë dhe Prokurorinë
Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, e cila u vra më 29 nëntor të këtij viti, ka deklaruar se qytetarët që kanë informacione rreth rastit duhet t’i dorëzojnë ato në polici dhe prokurori dhe jo familjes së viktimës.
Ai thotë se ditëve të fundit janë kontaktuar nga shumë njerëz të cilët kanë ofruar të ndajnë informacione rreth vrasjes së Liridonës.
“Ditët e fundit jemi duke u kontaktuar nga shumë njerëz të cilët kanë ofruar të ndajnë me neve informacione rreth vrasjes së Liridonës tonë. Ju lusim që të gjitha informacionet që i posedoni t’i ndani me policinë dhe prokurorinë dhe jo me neve. Hetimet ua kemi besu atyre dhe presim drejtësi profesionale dhe të shpejtë nga ana e gjykatës”- ka thënë Ademaj.
Leonard Ademaj shprehet se interesi i familjes së tij dhe interesi i përgjithshëm është që hetimet të mos dëmtohen nga askush.
Lidhur me rastin e Liridona Ademajt deri tani janë arrestuar katër persona, në mesin e tyre është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Në dosjen e prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com, përmendet fakti se rreth orës 20:25 në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë, me maskë në kokë e i armatosur kishte dalë para veturës tashmë i dyshuari Granit Plava dhe nga një afërsi e kishte qëlluar me plumb në qafë Liridona Ademajn.
Nga plaga që ka marrë Liridona Ademaj kishte vdekur ndërsa prokuroria përshkruan edhe detaje të tjera të cilat tregojnë inskenimin e një grabitje e cila sipas prokurorisë besohet të jetë një vrasje me pagesë.
Prokuroria në dokumentin e saj me të cilin ka kërkuar edhe masën e sigurisë-paraburgimin e tre të dyshuarve, Naim Murseli, Granit Plava e Kushtrim Kokalla, ka treguar rolin e secilit prej tashmë të pandehurve në rast.
Fillimisht, Naim Murseli pretendohet sipas dosjes që ishte marrë vesh me Granit Plavën që kur të dalë me maskë ta qëllojë me armë Liridona Ademajn, Naimi me dy fëmijët të largohej nga vetura fillimisht.