Lutfi Haziri tregon se për çka i ishte lëshuar leja e qarkullimit babait të Agon Musliut

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, sot ka dëshmuar para komisionit hetimor parlamentar lidhur me menaxhimin e pandemisë.

Haziri në këtë komision ka folur lidhur me informacionet që kishte për Agon Musliun i cili vdiq në rrethana ende të pasqaruara në qendrën e studentëve që u shndërrua në karantinë për persona që vinin nga jashtë.

Fatmire Kollqaku, anëtare e këtij komisioni nga Lëvizja Vetëvendosje ka pyetur Hazirin nëse i është thënë babait të Agon Musliut që djali i tij nuk do t’i nënshtrohet karantinës.

Haziri ka thënë se leja që është lëshuar për babain e Agon Musliut, Naim Musliu, ka qenë për qarkullim deri në aeroport e cila është lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, pasi nuk ka qenë kompetencë e komunës të lëshojë leje të tilla.

“Prindit të Agon Musliut i është dhënë leja që të qarkullojë deri në aeroport, ajo leje është lëshuar nga qendra operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kjo nuk ka qenë kompetencë e jona,” ka thënë Haziri.

Në këtë komision lidhur me këtë leje ka folur edhe Fadil Kajtazi, udhëheqës i qendrës operative emergjente në Gjilan i cili ka thënë se Ministria e Punëve të Brendshme më 1 maj i ka dhënë leje Naim Musliut që më 2 maj të ketë leje qarkullimi deri në aeroport nga ora 08:00-13:00.

Sipas Kajtazit leja e lëshuar nuk ka nënkuptuar që ai ka të drejtë ta marrë Agoni Musliun nga Aeroporti, pasi prindit i është dhënë leje të dalë ta presë e jo ta marrë atë nga aeroporti.

Udhëheqësi i Qendrës Operative Emergjente në Gjilan dëshmon për rastin e Agon Musliut