Lutfi Haziri reagon pas deklaratave të Vjosa Osmanit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lufti Haziri, ka reaguar pas deklaratave të kandidates së LDK-së për kryeministre Vjosa Osmanit, e cila mbrëmë në DebatPernime ka thënë që e ka bindur Hazirin kundër ndryshimit të kufijve.

Në një prononcim për KALLXO.com, Haziri ka thënë që deklarata e kandidates Vjosa Osmani është e vërtetë.

“Përderisa unë udhëheq me fushatën e LDK-së, në emër të LDK-së, çka do që thotë Vjosa Osmani është e vërtetë, dhe çka do që them unë është shumë e vërtetë. Ne jemi një ekip që jemi pajtuar në platformën, programin dhe gjithçka që e ajo e paraqet është shumë e vërtetë”, tha Haziri.

Kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se ideja për ndryshim kufijsh nuk do të jetë pjesë e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë. Madje, ajo ka thënë se tashmë e ka bindur edhe nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Hazirin që nuk mund të ketë ndryshim të kufijve.

“Duhet të më besoni sepse deri më tani jam kundërvër kundër idesë së ndryshimit të kufijve. Poashtu, deri më tani kam arritur që ta bind shefin e shtabit zgjedhor, z. Haziri i cili tashmë në plotëni respekton vendimin unanim pa asnjë votë kundër të Këshillit të LDK-së cili e ka hartuar platformën për dialogun Kosovë- Serbi që numër një është mos ndryshimi i kufijve”, ka deklaruar Vjosa Osmani në Debat Pernime.

Sipas kandidates për kryeministre nga LDK, ideja e Lutfi Hazirit ka qenë ndryshe për ndryshim kufijsh prej asaj të presidentit Hashim Thaçi.

“Z. Haziri edhe ashtu ka pasur një ide plotësisht ndryshe ndaj asaj që ju e quani e z. Thaçi që në fakt nuk është ide e z. Thaçi, është ide ruso-serbe të cilën LDK e ka kundërshtuar historishikisht”, ka thënë ajo.

Më 12 shtator të vitit të kaluar, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri në një intervistë për KALLXO.com ka folur për idenë e korrigjimit të kufirit dhe mundësinë e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën.  Haziri ka thënë  se ideja e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovës është kauzë e tij dhe jo e Thaçit duke shtuar se debatin për këtë çështje e ka nisur që nga viti 2019.