Lutfi Haziri preferon president konsensual

Në prag të përfundimit të mandatit të presidentit Hashim Thaçi dhe zgjedhjes së presidentit të ri, kryetari i Komunës së Gjilanit dhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri ka deklaruar se ai është për president konsensual.

Haziri ka thënë se zgjedhja më e mirë do të ishte nëse presidenti i ardhshëm të mos jetë pjesë e asnjë partie.

“Unë jam për një president konsensual, mund të vijë nga partitë, mund të vijë nga jashtë partitë ndoshta kish qenë zgjedhja ma e mirë. PDK dhe LDK i kanë tri histori të ndara të bashkëqeverisjes, mirë e keq, por në fund kemi përmbyllë procese të rëndësishme kur ka pasë arsye. Tash jemi në një fazë të zgjedhjes së presidentit dhe zgjedhjeve të parakohshme”, ka deklaruar i pari i Gjilanit.

Haziri këtë e ka thënë në emisionin “Jeta në Komunë” në debatin për Gjilanin përballë asamblistëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile.

“Jeta në Komunë” ka filluar të transmetohet që nga java e kaluar dhe çdo mbrëmje Jeta Xharra ka përballë nga një kryetar komune për të diskutuar mbi problemet dhe sukseset e komunave që nga marrja e mandatit në fund të vitit 2017.

Debati për Gjilanin do të transmetohet në ditët në vazhdim në orën 22:30 në televisionin Dukagjini dhe në faqen e Facebook-ut të KALLXO.com.