Lutfi Haziri

Lutfi Haziri për koalicionet e LDK-së: As me këta, as me ata

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha të mërkurën se LDK nuk do të hyjë në koalicione parazgjedhore me ndonjë parti tjetër.

Ai iu referua një vendimi të Kuvendit të LDK-së me të cilin, sipas tij, LDK do të shkojë e vetme në zgjedhjet që pritet të shpallen gjatë këtij muaji, sapo deputetët të votojnë për shpërndarjen e legjislaturës aktuale të Kuvendit, më 22 gusht.

Haziri, i cili është edhe kryetar i komunës së Gjilanit, tha se LDK mund t’i fitojë zgjedhjet e vetme.

“Kuvendi i LDK ka vendosë që LDK të shkojë e vetme në zgjedhje… Ne besojmë shumë që në këtë fazë, as me ata e as me kta, në kuptimin as me PDK e as me VV, duke qenë se LDK mund t’i fitojë zgjedhjet e vetme dhe është rikthimi i saj i madh në skenën politike”, tha Haziri

Ai deklaroi se në parti nuk është diskutuar asnjëherë çështja e kandidaturës së LDK-së për kryeministër, duke qenë se LDK ja sapo e ka zgjedhur kryetarin dhe është në proces të konsolidimit të strukturave të brendshme të partisë.

“Nuk është diskutuar asnjëherë nominimi, të nominuarit apo emri i cili do ta merrte përgjegjësinë për të udhëhequr procesin zgjedhor, kshtuqë kjo është me shumë spekulative”, tha Haziri.

“Në këtë kohë as emri im e as emra të tjerë të lakohen nuk bëjnë nder sepse nuk jemi. Diçka çka nuk është duhet me thënë që nuk është. Derisa kryetari i zgjedhur me ekipi i tij të ulen dhe të diskutojnë modalitetin dhe mënyrën se si LDK do t’i qaset zgjedhjeve të ardhshme”, tha Lutfi Haziri.