Lutfi Haziri: Nuk i besoj Qeverisë Hoti

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka komentuar zhvillimet politike të ditëve të fundit, sidomos ato të sotme, kur partia e tij, LDK, ka treguar emrat e ministrave të Qeverisë që mund të drejtohet nga Avdullah Hoti.

Seanca për votimin e Qeverisë Hoti është thirrur për nesër në ora 11:00.

E nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka shprehur rezerva ndaj Qeverisë që mund të drejtohet nga bashkëpartiaku i tij.

Në një prononcim për KALLXO.com, Haziri ka thënë se nuk i beson një Qeverie të drejtuar nga Avdullah Hoti.

“Po ndërtohet një Qeveri të cilës unë nuk i besoj”, ka thënë Lutfi Haziri për KALLXO.com.

Partia e tij, LDK, thotë se ka arritur marrëveshje për koalicion qeverisës me AAK-në, Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe dhe me disa deputetë të pakicave të tjera.

LDK nuk e ka publikuar marrëveshjen me Listën Serbe.