Lutfi Haziri, Foto: LDK

Lutfi Haziri: Në Gjilan kemi filluar rrugën për rikthimin e madh të LDK-së

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i ka falënderuar qytetarët e Gjilanit për pjesëmarrjen në manifestimet e kësaj partie, ndërsa ka thënë se në Gjilan ka filluar rruga për rikthimin e madh të LDK-së.

Një ditë pas zgjedhjeve parlamentare, Haziri ka thënë se deri në vjeshtë i pret shumë punë e angazhim.

“Jemi krenarë që së bashku tashmë në Gjilan kemi filluar rrugën tonë për rikthimin e madh të LDK-së. Ky është veç fillimi i këtij procesi e na pret shumë punë e angazhim bashkë deri në vjeshtë, për t’i dhënë Gjilanit formë, besim, shpresë e dashni. Presim zbardhjen e emrave të deputetëve që do ta na përfaqësojnë dhe zotohemi që me punë t’ua kthejmë dashninë tuaj”- ka thënë ai.

Haziri ka udhëhequr me Komunën e Gjilanit për katër mandate, ndërsa në zgjedhjet e tetorit të vitit 2021 ai u mposht nga kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, kryetari aktual, Alban Hyseni.

Haziri është kandidat për deputet në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet parlamentarë që u mbajtën më 09.02.2025.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka dalë partia e parë në asnjë komunë të Kosovës sipas rezultateve preliminare të KQZ-së.

LDK-ja nuk ka dalë e para as në komunat ku udhëheq në nivel lokal.

Me 99.09% të votave të numëruara deri në orën 18:58, Vetëvendosje renditet e para me 338 mijë e 948 vota apo 40.81%.

Partia Demokratike e Kosovës, sipas këtyre rezultateve, ka marrë 22.16% të votave apo 184 mijë e 040 vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta deri më tani me 17.60% apo 146 mijë e 147 vota.

Koalicioni AAK-NISMA, Intelektualët, Konservatorët kanë 7.46% të votave apo 61 mijë e 668.

Si renditen partitë për nga numri i votave të fituara në Gjilan?