Foto në Facebook: Lutfi Haziri, LDK

Lutfi Haziri: LDK respekton vullnetin qytetar, koha për durim

Numri dy i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri ka thënë se partia që drejton Lumir Abdixhiku respekton vullnetin qytetar.

Përmes një reagimi publik, Haziri ka thënë se koha është për durim.

“Pa LDK-në as nuk shkaktohen procese dhe as nuk mbyllen procese. LDK respekton vullnetin qytetar dhe në mënyrë të përgjegjshme e pret Kryetarin e saj me na udhëheq në pjesën e tretë të Zgjedhjeve, atë paszgjedhore. Koha për durim!” – thuhet në reagimin e Nënkryetarit të LDK-së.

Ai ka lavdëruar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, siç tha ai, për organizimin e parafushatës, “proces fushate shembull dhe solli në ditën e Zgjedhjeve standard të ri në politikë”.

“LDK ka pasur zot shtëpie dhe ka lënë rend shtëpie. Ky rend shtëpie dhe kultura jonë politike e solli Lumir Abdixhikun në krye të LDK-së, i cili e mban rendin e shtëpisë.” – deklaroi ai.

LDK doli forca e tretë politike në vend, pas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), me 146,815 vota, ose 17.61 %, kur janë numëruar 99.57% të vendvotimeve.

Dje gjatë ditës reagoi edhe Doarsa Kica Xhelili ng LDK-ja, përmes Facebook-ut.

“Paramendoni, PDK bën Qeveri imagjinare në WhatsApp, e VV e merr seriozisht, sepse është mësuar të qeverisë nga WhatsAppi. Nuk e di me kë jeni mësuar ju, por LDK ka zot shtëpie! E, nëse nuk keni dëgjuar, LDK i është kthyer elektoratit të saj! Atij i bindemi! Atij i nënshtrohemi!” – tha ajo.

Reagimi i saj erdhi pasi në media u raportua për një komunikim përmes aplikacionit WhatsApp mes gazetarit, Berat Buzhala dhe ish-ministrit të Punëve të Jashtme nga PDK, Petrit Selimi.

Komunikimi tregonte një bisedë ku përfoleshin emra për Kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, mes të cilëve edhe emri i Bedri Hamzës e Vlora Çitakut.

Sipas të dhënave të fundit të KQZ-së, forca e parë politike në vend pas Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 është Lëvizja Vetëvendosje, me 40.87 % të votave, PDK – partia e dytë më e madhe, me 22.03%, LDK me 17.61% dhe AAK-NISMA me 7.46%.