Lutfi Haziri: Inspektorët dhe policia do të ndërhyjnë në lokalet me mbi 50 persona

Komiteti i Emergjencave të Komunës së Gjilan për menaxhimin e pandemisë COVID-19, sot ka mbajtur takimin e rregullt, në selinë e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Në bazë të shënimeve zyrtare të Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik, në Gjilan kanë qenë të infektuar gjithsej 182 persona, prej tyre janë shëruar plotësisht 129 raste, 48 janë ende aktive.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka konfirmuar se njëri nga të infektuarit, mbrëmë vonë është bartur në Qendrën Klinike Infektive në Prishtinë për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore dhe trajtimi vazhdon atje, ndërsa sipas tij, pesë pacientë presin sot në Klinikën Infektive në Gjilan për testim, sipas rregullave të reja të vendosura.

Haziri ka njoftuar se pritet të bëhen edhe 48 testime, sipas simptomave.

“Ne besojmë që në këto dy ditë IKShP do të pasqyron gjendjen reale të infeksionit në Gjilan, derisa ka apeluar për kujdes dhe ka konfirmuar se nuk lejohet organizim i ahengjeve, muzikës live dhe organizimeve të tjera në restorante, kafiteri apo të ngjashme”, tha Haziri.

“Policia e Shtetit ka marrë vendim dhe do të ndërhyjë së bashku me Inspektorët e Komunal në tërë territorin e Komunës së Gjilanit. Kërkoj mirëkuptimin e të gjithë atyre që kanë planifikuar organizim gjatë vikendit, por nuk është i mundur të lejohet organizimi i mbrëmjeve muzikore dhe i ahengjeve të cilat kanë më shumë se 50 persona”, ka njoftuar kryetari Haziri.

Deri tani, në vend janë shënuar 3064 raste me COVID-19, 1707 persona të shëruar dhe 55 viktima.