Lutfi Haziri: Duhet të bëhet rivizatim i kufirit me Serbinë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, gjatë një interviste në Kanal 10 ka folur rreth bindjes së tij për rishikimin e kufirit me Serbinë.

Haziri ka thënë se duhet të bëhet një “rivizatim” i kufirit në mënyrë që Kosova të ndahet plotësisht nga Serbia.

Tutje ai ka shtuar se askush nuk e ndalon  një marrëveshje paqësore në mes dy vendeve, edhe në qoftëse ajo është ndërrim territoresh.

“Duhet të bëhet një rivizatim i kufijve.  Për me u nda me Serbinë, përveç anës ekonomike, dëmeve të luftës që ende nuk ka ndodhur duhet edhe me tokë. Ne kemi njerëz, 120 mijë që për Serbinë janë komunitet i vogël por për ne i madh që i kanë plotësu kriteret për me iu bashku Kosovës, që kanë bërë referundum, kanë luftuar por kanë mbetur jashtë. Në Leposaviq dhe 17 komuna të tjera nuk ka tokë në emër të shqiptarëve dhe gjeografikisht 300 km prej Leposaviqit nuk ka asnjë vendbanim. Nuk ka asnjë rregull ndërkombëtar që i refuzon marrëveshjet paqësore për territor kur palët pajtohen. Thuhet se çdo prekje e territoreve në Ballkan është thirrje për luftë dhe mund të jetë por nëse në Mal të Zi fitojnë forcat proserbe e në Serbi e Bosnjë e ki të njëjtën, atëherë si po  mbet kjo. Jam kundër zhvendosjes së popullatës por gjendet një zgjidhje. Dhe tekefundit më e vlefshme është jeta e njerzve sesa mineralet”, ka thënë ai.