Lutfi Haziri: 2 nga të prekurit me coronavirus - punëtorë të kampit "Bondsteel"

Tre persona kanë dalë pozitiv me coronavirus sot pas testimeve të bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, me anë të një njoftimi ka thënë se dy të infektuar janë punëtorë në campin Bondsteel, ndërkaq rasti tjetër është bashkëshortja e N.I., i cili doli pozitiv në fillim të kësaj jave.

“Pas mostrave të marra nga Insitituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, edhe tre raste të reja janë konfirmuar me COVID-19 në Gjilan, derisa shtatë persona kanë rezultuar negativë. Bëhet fjalë për dy bashkëqytetarë që punojnë në Bonsteel Camp, ndërkaq rasti tjetër është bashkëshortja e N.I. Pra, dy raste nga qyteti dhe tjetri nga Lladova.”, ka shkruar Haziri.

KALLXO.com ka kontaktuar me nënkryetarin e Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli i cili tha se janë në pritje të listës së kontakteve që kanë pasur personat e rezultuar sot me coronavirus.

“Rastet e sotme janë të njohura për ne sepse kanë kaluar përmes QKMF-së dhe kanë bashkëpunuar. Po presim listën e kontakteve që ta sigurojmë nesër e më dhe do të merren masat e vetizolimit”, tha për KALLXO.com, nënkryetari Ismajli.

Komuna e Gjilanit ka të regjistruar 21 persona me coronavirus. Nga këta të prekur vetëm shtatë raste janë aktive të tjerët janë shëruar.

Gjithashtu dy qytetarë të Gjilanit të ardhur nga diaspora janë vendosur në karantinë në Qendrën e Studentëve.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se gjithsej 79 persona kanë rezultuar pozitiv sot nga gjithsej 250 mostra të marra.

Gjithsej numri total i të prekurve me coronavirus është 362.