Lushtaku: Qeveria emëroi militantë në krye të Inspektoratit të Punës

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku në seancën e Kuvendit tha se Qeveria muaj më parë kishte emëruar Hekuran Nikçin në krye të Inspektoratit të Punës, i cili sipas Lushtakut është “militant partiak”.

“Dy muaj më parë me propozimin e ministrit të financave Hekuran Muratit, Qeveria emëron Hekuran Nikçin në krye të Inspektoratit të Punës përkatësisht në pozitën e kryeinspektorit. Edhe pse ky institucion ka përgjegjësi të madhe dhe eksluzive në mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit të punës kjo nuk e ndaloi këtë Qeveri që të emëronte në krye një militant partiak, në kundërshtim me ligjin në fuqi dhe me qëllim kapjen e këtij institucioni ”, ka deklaruar Lushtaku.

Ai tha se ditë më parë u publikuar raporti dhe vendimi i këshillitë të pavarur mbikëqyrës të shërbimit civil, i cili siç tha Lushtaku e kishte shpallur të kundërligjshëm emërimin e Nikçit.

“Ditë më parë u publikua raporti dhe vendimi i këshillit të pavarur mbikëqyrës të shërbimit civil të Kosovës, i cili kishte ardhur pas monitorimit në ministrinë e financave. Ky institucion e ka shpallur të kundërligjshëm vendimin e Qeverisë për emërimin e kryeinspektorit të punës, përfshirë edhe konkursin për zgjedhjen e përgjithshme të ATK-së”, tha Lushtaku.

Tutje Lushtaku tha se edhe pse ky vendim i këshillit obligon Qeverinë që të anulojë vendimin, e njëjta sipas Lushtakut nuk po e zbaton.

“Edhe pse ky vendim i Këshillit obligon Qeverinë që të anulojë vendimin e saj të paligjshëm, fatkeqësisht nuk kemi parë zbatueshmëri në këtë Qeveri”, shtoi ai.