Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lushtaku: Murat Jashari - njeriu më i qëlluar për president

Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt dhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, Sami Lushtaku, ka folur për postin e presidentit të ardhshëm të Kosovës.

Sipas tij, ka emra të shumtë në Kosovë që mund ta mbajnë këtë pozitë.

“Unë mendoj që në Kosovë ka emra të respektueshëm sa të duash për president”, tha fillimisht Lushtaku.

“Murat Jasharin e kisha përkrah me të dy duart. Unë mendoj që është njeriu më i qëlluar në këto momente që ai të jetë president në këtë kohë. S’e kam asnjë dilemë. Madje edhe në kryesi të partisë e kemi diskutuar këtë punë dhe këtu s’kemi hezitime”, tha tutje Lushtaku.

Pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga pozita e presidentit për shkak të aktakuzës për krime lufte, këtë pozitë po e ushtron kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Deri më tani, vetëm Ramush Haradinaj ka shpallur kandidaturën për president të vendit.