Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lushtaku fajëson Kurtin e Osmani për moskandimin e tij: Kanë bërë presion mbi institucionet e drejtësisë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia ka pamundësuar Sami Lushtakut kandidimin për kryetar të Skenderajt për shkak të dy dënimeve të formës së prerë në periudhën brenda 3 viteve të fundit.

Ai sot, përmes një video-adresimi ka treguar se pavarësisht që nuk u certifikua, ai do të jetë në krye të Skenderajt pas zgjedhjeve të 17 tetorit, pa dhënë sqarime të mëtutjeshme.

E për moscertifikim, Lushtaku ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kanë bërë presion mbi institucionet e drejtësisë dhe ato të pavarura.

“Duke parë përkrahjen e madhe të cilën e ka PDK në Skenderaj dhe unë si kryetar dege e kandidatë për kryetar të komunës për të ma pamundësuar kandidimin tim është bërë presion i madh mbi institucionet e pavarura e ato te drejtësisë. Ky presion është bërë nga dy krerët e shtetëror, presidentja e kryeministri”, ka thënë Lushtaku përmes një video-mesazhi.

“Unë gjithmonë i kam respektuar vendimet e shtetit tim dhe do t’i respektoj gjithmonë. Por këtë nuk e ka bërë Albin Kurti i cili edhe pse i dënuar nga drejtësia, sot është kryeministër”, ka thënë tutje ai.