Lushtaku: Buxhetit të vitit 2023 i mungon ndërlidhja me kërkesat e qytetarëve

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mergim Lushtaku, në seancën e Kuvendit ka thënë se projektbuxheti për vitin 2023 nuk është i bazuar në rritje reale por në rritjen ekonomike në inflacion.

Ai ka thënë se ky buxhet po rezulton si më i lartë në krahasim me vitet paraprake për shkak të rritjes së çmimeve në ekonomi.

“Buxhetit të Kurtit i mungon ambicia zhvillimore, ndërlidhshmeria me premtimet e tij elektorale, me kërkesat qytetare, me strategjinë legjislative sikurse ai për zbatimin e Ligjit të pagave” – ka thënë Lushtaku.

Ai tutje ka thënë se në këtë projektbuxhet është zvogëluar mbështetja për komuna.

“Qeveria Kurti për vitin 2022 kishte dhënë fjalë të mëdha, ndërsa tash investimet kapitale nuk rezultojnë të jenë më të larta se 25%. Shihet qartë një zvogëlim i mbështetjes së komunave. Dihet që dera e parë janë komunat” – ka thënë tutje Lushtaku.

Ai ka folur edhe për Ligjin e pagave dhe ka thënë se me mospërfshirjen e tij në buxhetin e vitit 2023, Qeveria i ka harruar punëtorët e sektorit publik.

“Lideri është sot në luftë me sindikatat, edhe pse ju premtoj që në vitin 2023 do të kemi Ligjin e pagave të zbatueshëm më ketë buxhet shihet se janë të mashtruar dhe të harruar, mësimdhënësit, mjekët, punëtorët në sektorin privat, dy sektorët në siguri, FSK e Polici etj” – ka shtuar Lushtaku.

Deputeti i PDK-së, ka thënë se kjo parti nuk do ta mbështesë këtë projektbuxhet.

Kuvendi i Kosovës është duke e shqyrtuar sot në parim projektligjin për ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2023.

Buxheti i Kosovës për vitin 2023 do jetë 3,2 miliardë euro.

Buxheti për vitin 2023 do jetë 3 miliardë e 212 milionë euro, LVV tregon se cilat fusha janë prioritet