Lumnije Thaçi

Lumnije Thaçi bashkëshortja e ish presidentit Thaçi, shtyn pagesën e shtëpisë

Lumnije Thaçi, gruaja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në deklarimin e pasurisë së saj për këtë vit, ka bërë të ditur se e ka shtyrë pagesën e shtëpisë, pas dorëheqjes së Thaçit si president.

“Vijimi i pagesës së shtëpisë është shtyrë pas zhvillimeve që kanë ndodhur në raport me bashkëshortin tim, i cili ka dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit të Kosovës, pas njoftimit për ngritjen e aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Andaj, deri në qartësimin dhe përfundimin e procesit gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, vijimi i pagesës së pjesës së mbetur të shtëpisë është shtyrë”, ka bërë të ditur bashkëshortja e Thaçit në deklarimin e saj të pasurisë, e cila është prodekane në Universitetin e Mitrovicës.

Shtëpia e qiftit Thaçit sipas deklarimit të pasurisë të vitit 2020 të ish-presidentit, Hashim Thaçi, ka vlerën e 350,000 eurove, derisa kishin deklaruar se e kishin blerë me kredi.

Përveç shtëpisë 350,000 euro, Lumnije Thaçi ka deklaruar si pasuri të paluajtshme edhe një shtëpi 250 metra katror në vlerë 80,000 euro dhe një tokë bujqësore 7 hektar në vlerë 180,000 euro.

Si pasuri të luajtshme edhe këtë vit ajo ka deklaruar veturën e njëjtë ‘Audi Q3’ në vlerë 19,000 euro.

Këtë vit në dallim me vitin e kaluar, Thaçi nuk ka deklaruar të hyrat e ish-presidentit. Si para të gatshme ajo këtë vit ka vetëm 500 euro, ndërsa 7,006 euro janë të djalit të saj, Endrit Thaçi.

Vitin e kaluar ajo ka deklaruar se kishte 2,141.65 euro në një bankë të Kosovës si para të gatshme.

Këtë vit, prodekania e Universitetit të Mitrovicës, po ashtu ka marrë një kredi 7,000 euro, për siç ka deklaruar në formularët e evidentimit të pasurisë, për të mbyllur kredinë e kaluar dhe për nevoja personale.

Gruaja e ish-presidentit Hashim Thaçi po ashtu ka bërë të ditur se të hyrat vjetore nga pozita e profesoreshës në Universitetin e Mitrovicës i ka 17,147 euro, ndërsa shtesat nga pozita e prodekanes 4,200 euro.