Lumir Abdixhiku: Propozimi ynë është që koeficienti të jetë 125 euro

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se propozimi i LDK-së për koeficient 125 euro është i drejtë pasi merr për bazë inflacionin rekord.

Sipas tij, ky propozim merr 120 milionë euro shtesë, shumë më pak seç ka shpenzuar Qeveria në pako që, sipas tij, nuk kanë lënë shenjë.

“Propozimi ynë është i drejtë sepse merr për bazë inflacionin rekord që e kemi patur në vend. Propozimi ynë është i mundshëm sepse merr 120 milionë shtesë, shumë më pak se që ka shpenzuar Qeveria në pako që nuk kanë lënë as edhe një shenjë. Propozimi ynë është i qëndrueshëm sepse pagat si proporcion buxhetor i mbanë nën 27%. Propozimi ynë është i denjë sepse krijon paga të dinjitetshme si asnjëherë më parë në vend. Zgjidhja është e qartë. Koeficienti 125”- ka shkruar Abdixhiku.

Abdixhiku përmes një tabele ka ilustruar se sa do ishin pagat me koeficientin 125.

Në detaje të kësaj tabele thuhet se pagat do ishin si në vijim: Mësuesi 700 euro, mjeku 925 euro, polici 625, ushtari 700 euro, dhe zjarrfikësit 625 euro.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se vlera e koeficientit për pagat në sektorin publik këtë vit do jetë 105 euro.

Ligji për pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, më 22 dhjetor 2022.