Lumir Abdixhiku - Rexhep Kadriu

Lumir Abdixhiku pranon detyrën nga zëvendësi i Pal Lekajt dhe Fatmir Matoshi

Lumir Abdixhiku ka pranuar detyrën e re si ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit.

Ai detyrën e ka pranuar nga dy ministri, meqë ministria që drejton ai është një bashkim i dy ministrive. Ish- zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Rexhep Kadriu në emër të ish- ministrit Pal Lekaj, i ka dorëzuar zyrtarisht detyrën Abdixhikut. Gjithashtu edhe ish- ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi.

Ministria që do të udhëheq Abdixhiku do të ketë buxhetin më të madh krahasuar me ministritë e tjera. Ministria e Infrastrukturës ka pas një buxhet të madh për shkak të investimeve në rrugë të reja, por edhe mirëmbajtjen e rrugëve aktuale. Ndërsa, ministria e Mjedisit ka buxhet të madh, meqë përmes kësaj ministrie bëhet shpronësimi i gjitha pronave private e shoqërore me qëllim të realizimit të projekte infrastrukturore.

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ka falënderuar Kadriun për punën që është bërë në këtë ministri gjatë mandatit të kaluar.

Gjithashtu, bëhet e ditur se kanë biseduar për projektet të cilat janë në përfundim dhe ato që tashmë janë planifikuar.

“Në një takim të shkurtër të dy bashkëbiseduesit, biseduan për projektet e realizuara deri më tani në infrastrukturën rrugore në këtë ministri, projektet të cilat janë në përfundim e sipër, si dhe për  projektet të cilat tashmë janë planifikuar”, thuhet në komunikatë e ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit.

“Ndërsa ministri i Lumir Abdixhiku, e falënderoi ish-zëvendësministrin Kadriu lidhur me pritjen dhe punën që është bërë në këtë ministri gjatë mandatit të kaluar, si dhe shtoi se do të mirëpres propozimet dhe idetë e ish – kabinetit në çdo kohë”, thuhet tutje.

Në anën tjetër, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në një njoftim për media ka bërë të ditur se i dorëzoi Abdixhikut disa prej punëve që janë në proces dhe prioritetet e ministrisë.

“Ai gjithashtu, e njoftoi përmes një raporti të dorëzuar për punën 3 vjeçare të MMPH-së, për të arriturat dhe punët e kryera dhe atyre që janë në proces dhe në përparësi”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, thuhet se ministri Abdixhiku u zotua se do të filloj së zbatuari programin ambicioz të Qeverisë i cili ka prioritet mjedisin duke përfshirë ajrin, ujin dhe ruajtjen e resurseve natyrore.

Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës është zgjedhur ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit.

Edhe ministrat tjerë të zgjedhur nga Qeveria e re kanë pranuar detyrën nga ministrat e ekzekutivit të kaluar.

KALLXO.com ka raportuar dje drejtpërdrejt nga seanca plenare qe u mbajtë me një pikë të vetme të rendit të ditës: zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kryeministër është zgjedhur Albin Kurti dhe këtë qeveri do ta shoqërojnë 15 ministri.

Kabineti qeveritar i Albin Kurtit