
Lumir Abdixhiku: Një javë nga sot do të nënshkruaj vendimin për rritjen e pagave
Lidhja Demokratike e Kosovës ka përmbyllur fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit me një tubim elektoral të mbajtur në Prishtinë, sonte më 08.02.2025.
Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Lumir Abdixhiku, gjatë këtij tubimi tha se do të ofrojë kushte më të mira për mësidhënës, mjekë, policë e shërbyes të tjerë publik duke u premtuar rritje të pagave.
“Kemi përgjegjësi për të gjithë mësuesit e Kosovës, për të gjithë mjekët, për të gjithë policët, për të gjithë ushtarët e zjarrfikësit, për të gjithë shërbyesit e shtetit, paga e të cilëve do t’i rrisim që në javën e parë”- tha Abdixhiku.
Kështu, nëse do të dal i pari në këto zgjedhje, Abdixhiku i LDK-së premtoi rritje të pagave brenda një jave.
“Një javë nga sot do të nënshkruaj vendimin për rritjen e pagave”- u shpreh Abdixhiku.
Ai premtoi edhe investime të reja, për çka tha se do ta transformojnë vendin.
“Duhet të kemi përgjegjësi për pesë miliardë euro investime që e transformojnë Kosovën në një shtet model në rajon, jemi të pasur, jo të varfër “- tha Abdixhiku.
Ndërkaq, sipas të parit të LDK-së, ardhja e tij në pushtet, do të përmirësoj edhe raportet me SHBA-të duke u shprehur se “shtëpia nuk bëhet pa miq”.
“Izolimit, masave, sanksioneve e përplasjes kokëfortë e të panevojshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne i përgjigjemi me besimin se shtëpia nuk bëhet pa miq” – deklaroi Abdixhiku sontë në Prishtinë.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.