Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lumir Abdixhiku: Kurti të mbledhë të gjithë spektrin politik, situata në veri kërkon unitet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që pas situatës në veri, të mbledhë të gjithë spektrin politik pa dallim. Sipas tij gjendja në të cilën ndodhet vendi, kërkon unitet.

“Gjendja e tensionuar në Veri kërkon unitet të plotë, prandaj propozoj që Kryeministri të mbledhë spektrin politik në vend, të ftojë partitë parlamentare në takim – pozitë e opozitë pa dallim, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet tona, vendore e të jashtme, për të mbrojtur interesat tona shtetërore sot. Po ashtu, i bëj thirrje, komunitetit ndërkombëtar, aleatëve tanë, që të bëjnë gjithë ç’është e mundur, për të shmangur kërcënimet e Serbisë dhe tensionet në veri të vendit”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë në kontakt me kryeministrin, Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë qeveritar.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Përgjatë pesë ditëve të fundit, LDK ka përcjellur me vëmendje e shqetësim zhvillimet në Veri të vendit. Përgjatë kësaj kohe, unë dhe kolegët e mi kemi qenë në kontakt me Kryeministrin Kurti, Kryeparlamentarin Konjufca e me zyrtarë të tjerë qeveritarë.

Në këto komunikime, përveç se kemi shprehur shqetësimin për gjendjen e sigurisë, të djemve tanë në uniformë atje, kemi kërkuar dhe qartësime në lidhje me planet e Qeverisë mbi menaxhimin e situatës. Mbi të gjitha, si LDK kemi shprehur gadishmërinë e plotë, për të ndihmuar në të gjitha kapacitetet që kemi, Qeverinë e vendit.

Gjendja e tensionuar në Veri kërkon unitet të plotë, prandaj propozoj që Kryeministri të mbledhë spektrin politik në vend, të ftojë partitë parlamentare në takim – pozitë e opozitë pa dallim, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha kapcitetet tona, vendore e të jashtme, për të mbrojtur interesat tona shtetërore sot.

Po ashtu, i bëj thirrje, komunitetit ndërkombëtar, aleatëve tanë, që të bëjnë gjithë ç’është e mundur, për të shmangur kërcënimet e Serbisë dhe tensionet në veri të vendit.