Lumir Abdixhiku e viziton në QKUK policin e plagosur në Zveçan

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka vizituar sot në QKUK, policin e plagosur nga sulmet e sotme në Zveçan.

“Vizitova Albanin, policin e plagosur sot nga sulmi terrorist në veri. Mes dhimbjes së madhe për humbjen e Afrimit, tek ai gjeta dhe forcën e krenarinë për punën profesionale të shokëve të tij, Policisë së Kosovës, në përballje me terroristë”, shkruan Abdixhiku në facebook.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore po vazhdojnë.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe një tjetër i uniformuar dhe i armatosur është arrestuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.

Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.

Zhvillimet pas vrasjes së policit të Kosovës në veri të vendit