Lumi Mirusha përsëri del nga shtrati, përmbytje në Malishevë

Komuna e Malishevës ka njoftuar sot se për shkak të reshjeve të mëdha të shiut dhe të borës, përsëri është rritur niveli i ujit në Lumin Mirusha.

“Si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut dhe të borës, është rritur niveli i ujit në lumin Mirusha dhe në rrjedhat tjera të ujërave, duke shkaktuar daljen nga shtrati të lumit, kryesisht në prona bujqësore, por edhe në rrugë dhe si pasojë rruga Mirushë-Gurbardh është bllokuar, dhe vështirësi ka edhe në akset rrugore Malishevë-Kijevë, Malishevë-Banjë dhe Turjakë-Bubël, ndërsa rrugët në malet e Berishës, janë të kalueshme, pasi është larguar bora nga rrugët”, është bërë e ditur.

Tutje është thënë se sipas drejotive komunale, të gjitha ekipet emergjente janë në terren, e po ashtu edhe operatori përgjegjës për pastrimin rrugëve nga bora, dhe janë duke e menaxhuar situatën.

“Momentalisht, në rrugët ku ka probleme, banorët mund të përdorin rrugët alternative dhe situata është e menaxhueshme dhe deri më tani situata nuk paraqet rrezik, por pavarësisht kësaj, ekipet përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë”, është thënë më tej.

Para disa javësh shumë zona të Kosovës ishin ballafaquar me vërshime për shkak të reshjeve të borës dhe shiut, e një ndër qytetet që pati dëme nga to ishte edhe Malisheva.