Lumezi tregon sukseset e Prokurorisë së Shtetit në vitin 2020

Kryeprokurori i shtetit Aleksander Lumezi në konferencën vjetore të prokurorëve ka shpalosur rezultatet e punës së këtij institucioni gjatë vitit 2020.

Ai tha se gjatë vitit të fundit Prokuroria e Shtetit ka pranuar në punë 43 mijë e 446  lëndë penale, ndërsa ka arritur t’i zgjidhë 49 mijë e 381 lëndë.

Përpos numrit të lëndëve të zgjidhura Lumezi përmendi edhe shënjestrimin e tetë rasteve të raja të korrupsionit duke e dërguar këtë numër në 69 në total.

“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është agjendë shtetërore e Republikës së Kosovës. Në këtë drejtim kemi shënjestruar edhe tetë (8) raste të reja që kanë të bëjnë me korrupsionin e nivelit të lartë, krimin e organizuar dhe krimet e tjera të rënda, duke e dërguar në 69 numrin e rasteve të shenjëstruara”, tha Lumezi.

Ai theksoi se gjatë vitit që lamë pas institucioni i Prokurorit të Shtetit ka treguar se askush nuk është i paprekshëm pasi ka akuzuar ministra, gjyqtarë, policë dhe zyrtarë të tjerë shtetëror.

Përpos aktakuzave, kryeprokurori Lumezi, deklaroi se ka nënshkruar memorandum me Institutin e Bazelit me qëllim që të ndihmojë në identifikimin e aseteve të fituara në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas tij çelësi i suksesit në luftën kundër korrupsionit qëndron në marrjen e fuqisë ekonomike dhe pasurisë së paligjshme të individëve dhe grupeve kriminale.

Përpos tjerash kryeprokurori deklaroi se kanë arritur që t`i zgjidhin shtatë nga tetë rastet e krimit të organizuar.

“Rëndësi të madhe i kemi kushtuar edhe luftimit të krimit të organizuar. Gjatë vitit të kaluar, Prokurori i Shtetit ka zgjidhur shtatë (7) raste me 34 persona, nga gjithsejtë (8) raste sa i ka pranuar në punë”, tha Lumezi.

Ai gjatë konferencës nuk la pa e përmendur edhe aksionin e zhvilluar në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës ku sipas tij u shkatërrua një vatër e madhe e krimit të organizuar.

Lumezi përmendi edhe hapat të cilat prokurori i shtetit i ka ndërmarrë në aspektin e luftimit të krimeve të luftës. Ai tha se në lidhje me këto krime ka caktuar edhe një prokuror të ri në departamentin për krime lufte duke e rritur në katër numrin e prokurorëve që merren me këto lënde.

Sipas tij për të pasur më shumë sukës në këto raste duhet të ketë mbështetje të gjerë institucionale dhe të përmirësohet legjislacioni që lehtëson ndjekjen, hetimin dhe gjykimin në mungesë, si dhe të rregullohet çështja e ekstradimit të të dyshuarve me shtetet që nuk e njohin Republikën e Kosovës, veçmas me Serbinë.

Letrën e plotë të Kryeprokurorit mund ta lexoni në këtë link.