Foto: KPK

Lumezi tregon pse nuk u lejuan britanikët të marrin pjesë në procesin e emërimit të Kryeprokurorit të ri të Shtetit

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se procesi për emërimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit ka qenë në përputhje me ligjin.

Lumezi potencoi se janë tejkaluar disa dispozita të rregullores për transparencë më të lartë të procesit.

“Procesi për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit ka qenë në përputhje me ligjin dhe rregulloren për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Ne i kemi tejkaluar disa dispozita të rregullores për emërim me qëllim që të kemi një transparencë më të lartë sa i përket këtij procesi”, ka thënë Lumezi në emisionin “Kallxo Përnime”.

“RTK e ka transmetuar drejtpërdrejt intervistën e secilit kandidat, koncept dokumentet kanë qenë publike edhe për qytetarët”, shtoi ai.

Lumezi tha se për rastin e britanikëve ka pasur neglizhencë pasi nuk e kanë kuptuar kërkesën e tyre.

“E vërtetë që kemi treguar neglizhencë në rastin e britanikëve sepse nuk e kemi kuptuar kërkesën e Ambasadës britanike me të cilët bashkëpunojmë shumë”, shtoi Lumezi.

Sipas tij, vendimi që britanikët të mos marrin pjesë në vlerësim u bë në një takim jozyrtar, por kanë lejuar që të monitorojë procesin.

“Nuk kemi pasur mbledhje formale por në një takim kemi marrë vendim që britanikët të mos marrin pjesë aktive në vlerësim por të monitorojnë patjetër procesin”, ka thënë Lumezi.

Ai shtoi se e njëjta metodë aplikohet edhe nëpër zgjedhje të bordeve e pozita tjera.

“Të njëjtën metodë britanikët e bëjnë edhe me Qeverinë e Kuvendin e Kosovës, por aty përzgjidhen persona në borde e pozita tjera, ku ka implikme të partive politike, ne jemi një organ profesional, i pavarur”, potencoi Lumezi.