Foto: Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit

Lumezi takohet me shefin e EULEX-it, shprehin gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, është takuar me shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark.

Në këtë takim është diskutuar për procesin e ndryshimeve legjislative, reformat institucionale, përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.

“Me këtë rast, Kryeprokurori Lumezi e ka njoftuar Shefin e misionit të EULEX-it lidhur me qëndrimet institucionale për këto procese, adresimet që dalin nga rishikimi funksional për sundim të ligjit, sfidat institucionale si dhe angazhimin e institucionit të Prokurorit të Shtetit në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, terrorizmit dhe veprave tjera penale”, thuhet në njoftimin e postuar në faqën zyrtare të Kryeprokurorit të Shtetit.

Tutje u tha se palët kanë vlerësuar progresin e arritur në fushën e sundimit të ligjit.

“Veçmas në shënjëstrimin e rasteve të reja, me ç’rast u theksua nevoja për një dinamizëm më të shtuar në pasqyrimin real të këtij progresi”, shtuan ata.

Në këtë takim shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, thuhet se e theksoi nevojën për kapacitete shtesë në punën hetimore për rastet e korrupsionit, terrorizmit si dhe për bashkëpunimin ndërinstitucional ndërmjet prokurorisë dhe Policisë për ta avancuar punën e prokurorisë.

“Të dy bashkëbiseduesit e kanë vlerësuar këtë takim mjaftë të dobishme dhe produktiv si dhe shprehen gatishmërinë e ndërsjellë për thellimin e bashkëpunimit institucional edhe në të ardhmen”, thuhet në njoftim.