Lumezi takohet me ambasadorin e Zvicrës, flasin për luftën kundër korrupsionit

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe ambasadori i Zvicrës në Kosovës, Thomas Kolly, kanë pasur një takim gjatë ditës ku kanë diskutuar për vazhdimin e partneritetit në funksion të sundimit të ligjit.

Përmes një postimi në faqen zyrtare të Prokurorit të Shtetit është bërë e ditur se theks të veçantë në këtë diskutim ka qenë që të vazhdohet partneriteti në projekte të përbashkëta kundër korrupsionit në Kosovë, që njihet si SAEK-III.

Po ashtu është diskutuar për vazhdimin e bashkëpunimit me Institutin e Bazelit për Qeverisje (IBQ), me të cilin Prokurori i Shtetit, për më shumë se një vit, ka bashkëpunim profesional në gjurmimin dhe konfiskimin e pasurive të shtetasve kosovarë, të fituara në mënyrë të kundërligjshme.

“Ambasadori Kolly, ka shprehur mbështetjen e tij dhe të vendit të tij për ta ndihmuar institucionin e Prokurorit të Shtetit në fusha të ndryshme”, thuhet në njoftim.

Në këtë takim Lumezi është shoqëruar nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

Në fund Kryeprokurori i Shtetit ka falënderuar ambasadorin Kolly për vizitën dhe interesimin e treguar për sistemin prokurorial.