Kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi

Lumezi në fjalimin vjetor përmend arritjet dhe sfidat e sistemit prokurorial

Kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, me rastin e mbajtjes së Konferencës Vjetore të Prokurorëve ka thënë se gjatë vitit të kaluar është bërë punë e madhe e cila sipas tij, vërtetohet me rezultate konkrete.

Lumezi tha se gjatë vitit të kaluar kanë treguar efikasitet të mirë duke zgjidhur 50 mijë e 118 lëndë penale të natyrave të ndryshme.

Ndërsa, tha se kanë zgjidhur 793 raste të ndryshme të korrupsionit, respektivisht, keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Sipas tij janë akuzuar ish-ministra të Qeverisë së Kosovës, sekretarë të ministrive, zyrtarë të lartë të shërbimit inteligjent, kryetarë të komunave, policë dhe zyrtarë tjerë shtetëror.

“Me plotë të drejtë mund të them se para disa viteve as nuk është imagjinuar e lëre më të ndodhë ndjekja penale dhe të ngritën aktakuza ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë. E kjo sot është bërë një realitet i përditshëm”, tha ai.

Lumezi ka përmendur aksionin e subvencioneve, ku sipas tij kanë arrestuar me dhjetëra zyrtarë, aksioni për konfiskim të 400 kilogramëve narkotikë të llojit kokainë, rasti “Call-Center”, ku kanë bashkëpunuar me autoritetet gjermane, rasti “Brezovica” dhe rasti “Thesari”, etj.

“Fakti që edhe Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021 i organizatës ndërkombëtare  ‘Transparency International’, thekson se Kosova ka shënuar përparim në luftën kundër korrupsionit duke u ngritur për 17 vende, kjo dëshmon se skema e besimit të publikut  sot në sistemin e drejtësisë ka lëvizur në kahun pozitiv”, tha ai.

Lumezi tregoi se gjatë vitit të kaluar, falë aktakuzave të prokurorëve të shtetit me aktgjykime dënuese janë zgjidhur me shumë sesa 94 % e rasteve të dërguara në gjykata.

Lumezi tha se janë të vetëdijshëm se rreziqet bashkëkohore të drejtësisë dhe sigurisë nuk mund të zgjidhen nga një shtet i vetëm, prandaj shtoi se kanë rritur bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtarë, si në rastet e terrorizimit dhe ekstremizmit të dhunshëm, ashtu edhe për krimet e tjera transnacionale.

Sa i përket transparencës, Kryeprokurori tha se janë arritur rezultate të dukshme.

“Që nga fillimi jemi përpjekur që komunikimin me mediat dhe publikun ta zhvillojmë kryesisht përmes rrugëve zyrtare. Marrëdhënia profesionale me media dhe opinionin publik nuk ishte vetëm obligim, por edhe nevojë e kohës”, shtoi Lumezi.

Lumezi ka përmendur edhe mirënjohjet, të cilat u kanë ardhur nga institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.

Për Lumezin rritja e efikasitetit dhe ndëshkimi i korrupsionit është një element shumë i rëndësishëm për vendin dhe për procesin e integrimeve në familjen e madhe evropiane.

Sfidë tjetër e sistemit prokurorial sipas Lumezit mbetet konfiskimi i pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

Sa i përket krimeve të luftës Lumezi tha se janë të vetëdijshëm që prokuroria në këtë pjesë nuk ka arritur rezultate të kënaqshme në periudhat e mëparshme.

Por sipas tij tashmë janë bërë hapa pozitivë në fuqizimin e Departamentit të Krimeve të Luftës, ku edhe janë trefishuar hetimet e këtyre rasteve.

“Kemi hartuar Strategjinë për hetimin e krimeve të luftës, e cila parasheh që të eliminohen dobësitë evidente në këtë fushë”, shtoi Lumezi.

Ai tha se janë duke mbledhur edhe dëshmi dhe prova të cilat i identifikojnë urdhërdhënësit dhe kryerësit e këtyre veprave penale.

Kryeprokuroi tregoi se Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka ofruar ndihmë për 2,073 raste të viktimave të të gjitha kategorive, përfshirë dhunën në familje, ngacmimet, dhunimet, sulmet seksuale, trafikimin e qenieve njerëzore dhe rasteve të tjera.