Aleksandër Lumezi - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Lumezi: Millan Radojiçiqin e kemi intervistuar online

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se Millan Radojiçiqin e kanë intervistuar online në cilësinë e dëshmitarit.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” shtoi se rasti i Radojiçiqit është një çështje serioze.

“Rasti i Radojiçiqit është çështje shumë serioze. Ju e dini se ai ka qenë i hetuar për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Kundër tij ka aktvendim për fillimin e hetimeve. Ne e kemi intervistuar atë në cilësinë e dëshmitarit. E kemi intervistu përmes linkut, sepse ka qenë i paarritshëm për organet e drejtësisë, përmes avokatit të tij e kemi gjetur”, ka thënë Lumezi.

Tutje, Lumezi potencoi se fletarrestimi ndaj Radojiçiqit ishte tërhequr për veprime taktike.

“Fletarrestin e kemi tërhequr për shkak të veprimeve teknike dhe taktike që do i merrnim në kohën e mëvonshme”, ka theksuar ai.

Ai shtoi se ky veprim ishte marrë para se SHBA të fuste Radojiçiqin në listën e zezë.

“Fletarresti është hequr në një kohë para se Amerika ta fuste në listën e zezë. Në atë listë kemi shumë persona nga Kosova dhe kurrë nuk kemi nisur hetime ndaj tyre. Ne i kemi aktivizuar edhe policinë që të na japin detaje për personat që janë në atë listë”, ka thënë Lumezi.