Lumezi jep detaje nga aksioni i sotëm që u arrestuan 8 policë

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi në një konferencë për media ka dhënë detaje për aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor dhe Prokurorisë për arrestimin e disa zyrtarëve policor.

Lumezi tha se deri tek kjo ka ardhur pas një hetimi rreth 1 vjeçar për 8 personat e dyshuar.

“Sipas urdhrave të Prokurorit të Shtetit janë ndërmarr masa dhe veprime që kanë rezultuar me zbardhjen e disa veprave penale të kryera nga zyrtarët policorë, ndërsa sot janë arrestuar 8 zyrtarë policorë, 2 prej tyre femra dhe një pjesëtar i komunitet serb”, tha ai.

Ai theksoi se hetimet janë bërë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor, dhe masat e ndërmarra janë bërë në mënyrë të fshehtë dhe me përgjime

‘”Ju e dini që ky rast është duke hetuar gati 1 vit dhe në bashkëpunim me IPK dhe me PK i kemi zbatuar mashat e fshehta të hetimit dhe vëzhgimit dhe në bazë informacioneve që i kemi marrë nga përgjimet, kemi ardhur në përfundim se duhet të zgjerohen hetimet edhe për disa persona me qëllim që të vërtetohet përgjegjësia e tyre penale që i kanë bërë veprimet në mënyrë të kundërligjshme”, shtoi Lumezi.

Lumezi theksoi se 8 personat janë të dyshuar për veprat penale: të keqpërdorimit dhe autorizimeve, ushtrimit të ndikimit, lëndim i lehtë trupor, shitblerjen dhe posedimin dhe shpërndarjen e substancave narkotike.

“Sot me urdhër të gjyqtarit paraprak kemi bërë disa bastisje dhe janë konfiskuar 9 telefona mobil, 1 veturë dhe disa dokumente dhe raporte zyrtare që do të na shërbejnë më vonë”, tha kryeprokurori.

Ndërsa, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha se ky operacion i përbashkët tregon se janë të përkushtuar ta luftojnë çdo dukuri brenda institucioneve.

“Arrestimi i këtyre individëve nuk nënkupton që e përfaqësojnë organizatën, përkundrazi Policia mbetet në detyrë që ta zbatojë ligjin dhe çdo pjesëtar që do të ndeshet me to dhe rregullat e brendshme do të procedohet. Çdo pjesëtare i ynë duhet të ketë integritet”, tha Mehmeti.