Aleksandër Lumezi - Kryeprokuror i Shtetit - FOTO KALLXO - 10.04.2019

Lumezi flet për të arriturat e Prokurorisë për vitin 2019

Prokuroria e Shtetit po mban sot Konferencën Vjetore të Prokurorëve të Shtetit

Kryeprokurori i Shtetit, Alekrandër Lumezi, në Konferencën Vjetore të Prokurorëve të Shtetit ka folur për të arriturat dhe sfidat e Prokurorisë së Shtetit për vitin2019.

“Sot, dua të theksoj se më e fortë se çdo sfidë apo mëdyshje është forca dhe uniteti i sistemit prokurorial, i cili edhe gjatë vitit të kaluar, por edhe ne ditët e para të këtij viti ka treguar imunitet ndaj kërcënimeve dhe presioneve të ndryshme. Ne kemi treguar vendosmëri për t’u përballur me çdo formë të krimit dhe në këtë rrugë nuk do të na ndalë askush, sepse ky është interesi i shtetit dhe ne veprojmë në emër të shtetit. Prandaj, duhet të jemi unik për të treguar forcën që e përbëjmë të gjithë së bashku si Prokurori e Shtetit”, ka thënë Lumezi.

Fjalimin e tij kryeprokurori Lumezi e ka vazhduar duke folur për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për të cilën ka thënë se është një element shumë i rëndësishëm drejt rrugës së integrimit të shtetit në familjen evropiane.

“Publiku është duke pritur nga prokurorët që nëpërmjet hetimeve të mirëfillta dhe të paanshme të kontribuojnë në pastrimin e shtetit, politikës dhe institucioneve nga korrupsioni, nepotizmi, abuzimi dhe çdo formë tjetër e krimit që i cenon marrëdhëniet juridiko-shoqërore. Çelësi i suksesit në luftën kundër korrupsionit qëndron në konfiskimin e pasurisë së përfituar nga vepra penale, si dhe marrja e fuqisë ekonomike grupeve kriminale, nëpërmjet ngrirjes e më pastaj edhe konfiskimit të pasurisë”, tha kryeprokurori.

Kryeprokurori ka bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar, Prokurori i Shtetit ka arritur të zgjedh 400 dosje penale me 771 persona, si dhe  532 kallëzime penale me 712 persona që kanë të bëjnë me krime ekonomike dhe financiare.

Në këtë konferencë, Lumezi ka folur edhe për luftën kundër terrorizimit, për të cilën ka thënë se është duke rrezikuar sigurinë, paqen dhe drejtësinë në botë, duke mos e përjashtuar Kosovën.

“Ne kemi qenë të vetëdijshëm se rreziqet bashkëkohore të drejtësisë dhe sigurisë nuk mund të zgjidhen nga një shtet i vetëm, prandaj kemi rritur bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar, me ç’rast kemi arritur në mënyrë të suksesshme të kthejmë në Kosovë 110 kosovarë të cilët kanë qëndruar në zonat e konfliktit në Siri, dhe për një numër të tyre kanë filluar edhe procedurat penale”, ka thënë Lumezi.

Kryeprokurori duke folur për krimet e luftës ka bërë të ditur se Këshilli Prokuroria i Kosovës në vitin e kaluar ka miratuar strategjinë për hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës.

“Përveç që jemi duke bërë identifikimin e ngjarjeve të cilat po trajtohen me prioritet, jemi duke bërë përpjekje që të mbledhim dëshmi dhe prova të cilat i identifikojnë kryesit dhe urdhërdhënësit e këtyre veprave penale për t’i vënë ata para përgjegjësisë penale”, ka thënë Lumezi.

Fjalimin e tij Luezi e ka përmbyllur duke kërkuar përkushtim të madh, profesionalizëm, integritet dhe përgjegjësi në përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore.

KALLXO.com po transmeton live Konferencën Vjetore të Prokurorisë së Shtetit.

Konferenca vjetore e prokurorëve

Konferenca vjetore e prokurorëve

Publiée par Kallxo.com sur Vendredi 17 janvier 2020