Foto: KALLXO.com
‘Lum na’ - Nis në Mitrovicë Festivali "Green Fest"
Në Mitrovicë ka filluar edicioni i 14-të i Festivalit “Green Fest” me emrin “Lum na”, i cili do të zgjasë nga 14.08.2024 deri më 18.08.2024.
Programe edukative, shfaqje filmash me tematika mjedisore, punëtori për fëmijë, kulturë dhe programe rekreative do ta përcjellin këtë edicion të “Green Fest”.
Pëveç që promovon diversitetin, artin, kulturën, Festivali promovon edhe ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit, përkatësisht mbrojtjen e katër lumenjve që janë në Mitrovicë.
Të pranishëm në hapjen e Festivalit ishin kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq si dhe përfaqësues të ambasadave suedeze e franceze në Kosovë, përfaqësues të Zyrës së BE-së dhe të organizatave të tjera.
Në këtë hapje, që filloi në ora 19:00, organizatori Lulzim Hoti para pjesëmarrësve deklaroi se është frymëzuese për të trajtuar çështjet që lidhen me ujin.
“Duke qenë se jemi qytet me lumenj, afektojmë edhe liqenet, detërat dhe oqeanet. Programi i sivjemë është vazhdimësi e punës tonë të çdo viti. Provojmë të ngrisim kauza mjedisore dhe vetëdijen për të sjellë ndryshime pozitive” – tha Hoti.
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, tha se ndihet i nderuar me Festivalin që po mbahet në komunën që ai e udhëheq.
“Une si kryetar i Mitrovicës, si nikoqir i këtij festivali të mrekullueshëm, ndihem shumë i nderuar që nga sot për pesë ditë para jush do të performojnë figurat e çmuara të muzikës, artit, filmit” – deklaroi Hamza.
Për organizimin dhe temën e festivalit, organizatorët morën përgëzime edhe nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
“Përgëzime për një edicion të ri të bukur, një traditë tashmë e etabluar ku më bukur se në Mitrovicë bëhen bashkë natyra, kultura e komuniteti e ku ma mirë se në ‘Green Fest’ arrin që në këtë përbashkim me shiju të gjithë së bashku, jo vetëm emrat e Mitrovicës por edhe nga qytetet e tjera të Kosovës” – deklaroi Çeku.
Fjalë rasti patën edhe përfaqësues të Ambasadës suedeze në Kosovë dhe nga Zyra e BE-së në Kosovë.