Lul Raka, mikrobiolog - Foto: REL

Lul Raka: Zbatoni këshillat për COVID-19 sot, nesër mund të jetë vonë

Profesori i Mikrobiologjisë dhe Kontrollit të Infeksioneve në Universitetin e Prishtinës, Lul Raka, ka bërë sërish thirrje për respektim të masave kundër sëmundjes COVID-19.

Sipas mikrobiologut, COVID-19 nuk është rrenë, prandaj fton të respektohen masat mbrojtëse sot sepse nesër do të jetë vonë.

Raka ka theksuar se trendi i rritjes së numrit të rasteve në javën e fundit është shqetësues.

Ky është postimi i tij i plotë në Facebook.

“Të dashur qytetarë të Kosovës,

COVID-19 NUK është rrenë! Mund të prek TY ose më të dashurit Tuaj!

Trendi i rritjes së numrit të rasteve në javën e fundit është shqetësues. Shtylla kryesore e përgjigjes ndaj pandemisë është kapaciteti shëndetësor i Kosovës, i cili po ngarkohet disa ditës!

Kësaj rritje i kemi kontribuar të gjithë: qytetarët, të cilët nuk i përfillin fare masat parandaluese. Por, edhe politikanë, të cilët vazhdojnë ta përdorin COVID-19 si monetë për kusuritje të ndërsjelltë.

Qytetarë të dashur, Ju lutem t’i zbatoni këshillat sot, sepse nesër mund të jetë vonë:
1. Mbani distancën fizike kudo dhe gjatë tërë kohës. Kjo është komponenta kryesore në parandalim!
2. Në vendet ku nuk mund të mbahet distancë, vendosni maska!
3. Mbani higjienën e duarve!

Politikanë të nderuar: Ju lutemi kthjelluni, bashkohuni dhe tregoni lidership në këto kohë të vështira.

Parandalimi i sëmundjes është arma e vetme në duart tona!

Vetëm së bashku e përballojmë këtë sfidë!”