Dr. Lul Raka

Lul Raka: Kur është ndarë torta e buxhetit, shëndetësisë ia kanë lënë troshat

Mikrobiologu Lul Raka i ftuar në “Kallxo Pernime” ka folur në lidhje me përvojën e tij njëvjeçare në luftën kundër pandemisë COVID-19.

Raka tha se frika kryesore e tij ka qenë sistemi shëndetësor në Kosovë, në të cilin, sipas tij, nuk është investuar për 20 vite.

Ai tha se kur është ndarë torta e buxhetit të shtetit, shëndetësisë ia kanë lënë veç troshat.

“Të gjitha qeveritë që kanë qenë që nga fillimi deri më sot e kanë pasur gojën ‘plotë shëndetësi’. Kur është ndarë torta e buxhetit, shëndetësisë veç troshat ia kanë lënë. Kosova është vendi me shpenzimet qeveritare në shëndetësi për kokë banori më të ulëta në Evropë”, tha Raka.

Raka deklaroi se duke mos investuar në shëndetësi për 20 vite, nuk do të ketë as shërbime cilësore shëndetësore.

Ai përmendi edhe listën e barnave esenciale, duke thënë se ka mungesë të ilaçeve pasi fondi është i kufizuar.

“Me kalimin e kohës me rënien e cilësisë, secili prej neve kemi familje edhe sektori shëndetësor u pa çfarë roli ka, mirëpo ti e ke edhe anën tjetër të pasqyrës, ke shërbime publike në Kosovë që e kanë rrogën 2 mijë, 3 mijë, 4 mijë, 5 mijë euro. Edhe me kalimin e kohës pa barna, pa shërbime, pa cilësi, normal që bie cilësia e punës dhe nuk ke çka pret, përveç në uljen e besimit në punëtorin shëndetësor. Kjo është që pandemia ta zhvesh nudo sistemin shëndetësor”, deklaroi Raka.