Lul Raka flet për pasojat e COVID-19 në Kosovë

 

Kosova është në mesin e vendeve me konsumin më të madh të antibiotikëve në rajonin dhe ky fakt përbën një rrezik për shëndetin e popullatës.

Konsumi i antibiotikëve në vend është rritur edhe gjatë pandemisë COVID 19 për shkak se gjatë trajtimit të pacientëve mjekët kanë përshkruar antibiotik edhe kur nuk ka qenë e nevojshme.

Infektologu Lul Raka njëri ndër mjekët më me eksperiencë në vend  ka paralajmëruar rrezikun që në rast se vendi vazhdon me këto trende të përdorimit të antibiotikëve imuniteti i popullatës do bie bashkë me efektet e antibiotikëve.

“Sipas parashikimeve nëse bota vazhdon me keqpërdorë antibiotikët jo vetëm në mjekësin humane por edhe në kafshë, nëse vazhdojmë me këtë trend  në vitin 2050 më tepër kanë me vdekë njerëzit prej infeksioneve me mikrobe rezistence se prej kancerit. Sipas statistikave të OBSh-së vdesin 8 milion e 200 mijë,  10 milion kanë me vdekur nëse sot nuk i themi stop përdorimit të antibiotikëve”, thotë Raka.

Mjeku me eksperiencë edhe në trajtimin e Ebolas sheh si problem në trajtimin e viruseve edhe mungesën e kujdesit shëndetësorë dhe përgatitjen e resurseve spitalore për tu përballur me viruse të panjohura.

Viti i kaluar e gjeti Kosovën të papërgatitur me furnizime si maska e mjete mbrojtëse ndërsa dhoma te oksigjenimit dhe pajisjet e trajtimit intenziv ishin të pakëta.

“Frika ime më e madhe ka qenë te ditë sistemin shëndetësor tash e 20 vite nuk është investu në shëndetësi  mjaftueshëm të gjitha qeveritë që kanë qenë e kanë pas gojën plotë shëndetësi, kur është nda tortja e buxhetit  shëndetësisë ia kanë lënë vetëm troshat” thotë Raka.

Të dhënat tregojnë se Kosova është me shpenzime në shëndetësi për kokë banori më të ulta në Evropë.

Mungesat e ilaçeve dhe edukimi për pandeminë është shoqëruar edhe me një fushatë të gjerë të lajmeve të rreme.

Në javët e para të pandemisë Kosovarët vërshuan dyqanet për të blerë ushqime ndërsa pati të atillë që blenë ushqime të caktuara me pretekstin se ato ishin shëruese për virusin.

Lajmet e rreme dëmtuan shumë përpjekjet e mjekëve për të edukuar popullatën dhe për të respektuar masat mbrojtëse.

Informacionet e rrejshme janë evidentuar si problem i madh edhe për mjekët që janë marrë me pandeminë.

 

“Frika dhe paniku në këtë kohë kanë qenë në kulm  e kam ditë që nuk kemi me luftu vetëm me virus por kemi me luftu edhe infodeminë apo luftimin e informatave të rrejshme”, rrëfeu doktori.

Ai kujton momentet kur ka takuar individ që kanë mohuar ekzistencën e virusit por që më vonë janë bindur se ai ekziston.

“Ndërrimi i mendjes ka ndodh kur janë prek vetë nga virusi kur ju kanë sëmurë ose vdekë familjaret”, kujton Raka.

Tutje, mikrobiologu thotë se respektimi i masave është formula e vetëm për parandalim të përhapjes së infeksionit.

“Nuk ka ilaç që bënë mrekulli fatkeqësisht për këtë arsye fuqizimi duhet të jetë tek masat një vit pas pandemisë njerëzit janë lodh, një vit pas pandemisë është lodhja pandemike  dhe një pjesë e njerëzve janë buzë tolerancës jo vetëm në Kosovë por edhe në botë”, theksoi mikrobiologu.

Virusi SARS-CoV-2 është virus i ri në botë i cili i ka befasua mjekët me përhapjen e tij asimptomatike. Disa nga pacientët që kanë qenë të prekur nga virusi nuk e kanë kuptuar se janë prekur për shkak të mungesës së simptomave.

“Ka qenë virus i ri shkenca nuk ka pas informatë. Virusi na ka msu shumë sene e para ajo që ka qenë befasi për neve përhapje presimptome personat sëmuren shfaqin simptoma por virusin e ndjellin dy ditë para se me shfaqë simptomat” sqaroi Raka.

Luftimi i sëmundjes asimptomatike kujtohet si njëri nga problemet e mëdha të pandemisë.