Foto: BIRN

Luksi në Dedinje: Investime të reja të Radoiçiqit, Petroviqit dhe gruas së Veselinoviqit

Millan Radoiçiq, lideri joformal i pjesës veriore të Kosovës, Nikolla Petroviq, kumbari i Presidentit të Serbisë, dhe gruaja e Zvonko Veselinoviqit, kumbarit të Radoiçiqit, janë duke blerë prona të reja me vlera të larta në lokacione prestigjioze në Beograd. Vila luksoze janë në ndërtim e sipër në parcelat e Radoiçiqit dhe gruas së Veselinoviqit në Dedinje, dhe emëruesi i përbashkët për të gjitha këto prona është Davor Macura, pronari i Alta Bank, i cili shpesh lidhet me Partinë Progresive Serbe në pushtet.

Nga fundi i vitit të kaluar e deri më sot, Radoiçiq, Lilana Bozhoviq, gruaja e Zvonko Veselinoviqit dhe Nikolla Petroviq, kumbari i Presidentit të Serbisë, janë bërë pronarë të mijëra metrave katrorë tokë në Dedinje, ndërsa parcelat e tyre janë mu pranë njëri-tjetrit.

Siç zbulon BIRN, investitori i cili është duke ndërtuar kompleks banimi me gjithsej sipërfaqe prej 1550 metra katrorë në parcelën e Radoiçiqit është kompania Danica Park e Davor Macura, pronar i Alta Bank, i cili shpesh flitet për lidhje me Partinë Progresive Serbe në pushtet.

Muaj më parë janë rrënuar tri objekte që ndodheshin në këtë parcelë, para se të lëshoheshin lejet e nevojshme. Përndryshe, më vonë me leje të ndërtimit u aprovua rrënimi i vetëm njërës prej këtyre tre objekteve, por deri atëherë të tri objektet veçse ishin rrënuar.

Në parcelën e Lilana Bozhoviqit është duke u ndërtuar një objekt banimi prej 1716 metra katrorë, ndërsa Nikolla Petroviq para pak kohësh arriti në posedim të dy parcelave që ndodhen mes tokës së Bozhoviqit dhe vilës së tij, e cila qysh më parë ishte e njohur për publikun. Këto parcela kanë qenë në pronësi të kompanisë së Macurës “Danica Park”.

Bozhoviq e bleu parcelën nga “Danica Park” në tetor të vitit të kaluar, ndërsa Petroviq ishte regjistruar si pronar i saj në vend të “Danica Park” në mars të këtij viti.

Brenda njërës parcelë, e cila tani është në pronësi të Petroviqit, në kadastër është i regjistruar ndërtim i paligjshëm prej gati 550 metra katrorë, ndërsa pamjet e fundit nga BIRN-i tregojnë se nuk ekziston një ndërtim i tillë në atë parcelë. Nuk ka asnjë dokumentacion në dispozicion publik që tregon se mbi çfarë baze është rrënuar kjo ndërtesë.

Parcela e dytë e sapo siguruar e Petroviqit më parë ishte në pronësi të Novica Tonçev, aktualisht Nënkryetar i Qeverisë së Serbisë dhe zyrtar i lartë i Partisë Socialiste të Serbisë.

Tonçev e humbi parcelën pasi me kërkesë të Park Danica u anulua vendimi i vitit 2010 për legalizimin e objekteve në atë parcelë.

“I pandehuri Radoiçiq Milan nga Mitrovica e Kosovës, i lindur më 1978… i papunë, nuk posedon pasuri të paluajtshme”, thekson aktgjykimi me të cilin mbrojtësi i sotëm i Beogradit zyrtar është dënuar në vitin 2010 për falsifikim të letërnjoftimit. Nga të gjitha ato për të cilat ishte i dyshuar dhe i akuzuar, dosja e Milan Radoiçiqit tregon se ai është shpallur fajtor vetëm në këtë procedurë gjyqësore.

Çfarë ka ndryshuar që atëherë? Radoiçiq është bërë i paprekshëm për autoritetet hetimore, ndërsa të dhënat për biznesin dhe pasurinë e tij janë shumë të ndryshme.

Ndërkohë që Interpoli është në kërkim të Milan Radoiçiqit për shkak të ngjarjes së armatosur në Banjskë dhe liderët evropianë kërkojnë nga kreu i shtetit serb që ta hedhë atë në gjyq, ndërsa bashkatdhetarët e tij po largohen nga “djepi i Serbisë” dhe ata që kanë mbetur jetojnë gjithnjë e më vështirë, në çdo kuptim, lideri dhe sundimtari i tyre jozyrtar në veri të Kosovës, nga hija zëvendëson vilën e tij në Gazivodë me prona të reja të paluajtshme, ndërsa në njërën parcelë në “xhepin” e fshehur të lagjes luksoze beogradase “Dedinje” me nxitim ndërton një vilë të re.

I fshehur nga sytë e kalimtarëve, i shtrirë midis Bulevardit Knez Aleksandar Karagjorgjeviq nga njëra anë dhe Rrugës Uzhiçka nga ana tjetër, Radoiçiq dhe miqtë e bashkëpunëtorët e tij, Nikola Petroviq dhe gruaja e Zvonko Veselinoviq, pa shqetësim blejnë prona në njërën prej pjesëve më të shtrenjta të Beogradit, zbulon BIRN. Këto parcela, të cilat ndodhen njëra pranë tjetrës, kanë gjithsej sipërfaqe prej më shumë se 12,000 metra katrorë. Në muajin mars, portali Nova.rs ka shkruar për faktin se Radoiçiq është bërë pronar i parcelës në Dedinje.

Foto: BIRN

BIRN zbulon se në dy parcela toke në bulevardin Princi Aleksandar Karagjorgjeviq, njëra prej të cilave është e Radoiçiqit dhe gruas së tij dhe tjetra e Lilana Bozhoviqit, gruas së Zvonko Veselinoviqit, janë ndërtuar objekte prej mbi 1500 metra katrorë.

Pamjet e BIRN me dron, të realizuara në fund të prillit të këtij viti, tregojnë se punimet janë duke vijuar në parcelën e Radoiçiqit, se punët e vrazhda janë në fazë të avancuar dhe se në një pjesë të ndërtesës janë ndërtuar dy kate, ndonëse leja e ndërtimit është lëshuar më pak se tre muaj para momentit kur është bërë incizimi. Sipas të njëjtës leje ndërtimi, ndërtesa e re prej 1550 metrash katrorë do të ndërtohet në vendin e njërës prej tri objekteve, aq sa ka sipas kadastrit në parcelën e Milan Radoiçiqit në Dedinje. Megjithatë, në vend të njërit, sa parashihej me leje të ndërtimit, të tri objektet u rrënuan shumë kohë para se të jepej leja – mes nëntorit 2022 dhe qershorit 2023, siç tregojnë imazhet në Google Earth.

Në parcelën e Lilana Bozhoviqit, gruas së Zvonko Veselinoviqit, objekti ishte ndërtuar deri në çati.

BIRN tutje zbulon se investitori në ndërtimin e objektit të Radoiçiqit është kompania “Danica Park” nga Beogradi. Deri më 21 maj të këtij viti, kjo kompani ishte investitor në objektin në ndërtim e sipër në parcelën e gruas së Veselinoviqit, kur ajo u bë investitor, sipas dokumenteve zyrtare. Vlera totale e parashikuar e punimeve në të dy objektet është rreth 5.6 milionë euro.

Kompania “Danica Park” është në pronësi të Davor Macura, pronarit të mëparshëm të këmbimores Alta, e cila më vonë bleu Bankën Jubmes, e njohur sot si “Alta banka”. Viteve të fundit disa media e kanë cilësuar Macurën si biznesmen të afërt me qeverinë.

Mu pranë parcelave të Milan Radoiçiqit dhe Lilana Bozhoviqit, bashkëshortes së Zvonko Veselinoviqit, gjendet një parcelë prej rreth 2700 metra katrorë, e pranë saj një tjetër parcelë prej gati 1200 metra katrorë, për të cilat në mars të këtij viti në kadastër ishte listuar si pronar Nikolla Petroviq, kumbari i njohur i presidentit serb. Pikërisht në lidhje me këto parcela shfaqet kompania “Danica Park” – deri në mes të marsit ishte pronare e asaj toke, tani e asaj të Petroviqit.

Të gjitha parcelat e përmendura ndodhen në afërsi të truallit me objekt luksoz banimi prej 1325 metrash katrorë dhe pishinë në pronësi të Nikolla Petroviqit, për të cilin opinioni publik veçse ishte në dijeni, pasi për këtë ka shkruar portali hulumtues KRIK.

BIRN bëri përpjekje të kontaktojë Milan Radoiçiqin, Lilana Bozhoviqin dhe Davor Macurën. Radoiçiq dhe Bozhoviq nuk ishin të disponueshëm në numrat e telefonit të njohur për ekipin redaktues të BIRN. Gruaja e Zvonko Veselinoviq nuk u përgjigj në pyetjet e dërguara në emailin e kompanisë Dolly Bell, ndërsa Radoiçiq nuk u përgjigj në pyetjet e dërguara me SMS.

Pasi kuptoi arsyen pse e telefononim, Davor Macura i tha gazetares së BIRN se do ta telefononte më vonë pasi ishte në takim. Mirëpo, Macura, deri në publikimin e këtij teksti, jo vetëm që nuk e telefonoi, por as nuk u përgjigj në porositë e mëvonshme të dërguara.

Meqë ra fjala, ky nuk është trekëndëshi i parë fqinjësor në Dedinje që ka nisur kjo treshe e pandashme. Ata janë fqinjë edhe në pjesën e Dedinjës që kufizohet me rrugët Gjeneral Pavle Jurishiq Shturm, Rajko Mitiq, Goleshka dhe Gjeneral Sava Grujiq. BIRN ka shkruar edhe më parë për vilat në Dedinje në pronësi të Radoiçiqit, Veselinoviçit dhe Petroviqit.

Foto: BIRN

Njëra patundshmëri në rrugën Rajka Mitiq është në pronësi të kompanisë “Rad 028” nga Zveçani, në veri të Kosovës.

Banesa e Milan Radoiçiqit gjendet në atë rrugë, në të njëjtin numër me patundshmërinë e cekur.

Në objektin ngjitur me këtë, në të njëjtën adresë (të rrethuar me ngjyrë të gjelbër), ndodhet një apartament prej 260 metrash katrorë në pronësi të Nikolla Petroviqit.

Gazetarët e BIRN vizituan lokacionin ku ndodhen parcelat e përmendura të sapopërfituara. Ato nuk janë të qasshme për kalimtarët e rastit dhe shtrihen mes bulevardit Princ Aleksandar Karagjorgjeviç dhe rrugës Çakorska nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër me qasje nga rruga Uzhiçka, rrugë e ngushtë private e vendosur pikërisht pranë Ambasadës së Republikës Popullore të Kinës. Në fillim të asaj rruge të ngushtë gjendet një laurë, ndërsa hyrja është e mbuluar me kamera, ashtu që ndalohet kalimi i mëtejmë.

Aty gjendet edhe një rrugë e ngushtë e paasfaltuar nga Bulevardi Princ Aleksandar Karagjorgjeviç, e cila kalon në disa kantiere ndërtimi. Punishtja në parcelat e Lilana Bozhoviq dhe Milan Radoiçiq nuk është e dukshme nga bulevardi më i madh i Dedinjes.

Kush dhe çfarë po ndërton në parcelën e Milan Radoiçiqit

Në parcelën e Milan Radoiçiq në Bulevardin Knez Aleksandar Karagjorgjeviq, në kadastër janë ende të regjistruara tri objekte. I pari zë një sipërfaqe prej 180 metrash katrorë, dhe i dyti 95 metra katrorë. Si parcela ashtu edhe dy objektet e cekura janë të regjistruar në kadastër si pronë e Radoiçiqit dhe gruas së tij Emës. Sipas kadastrit, në parcelë ekziston edhe një objekt i tretë me sipërfaqe prej 50 metrash katrorë. Në kadastër theksohet se ky objekt është ndërtuar pa leje ndërtimi, me shënim se pronari i objektit nuk është vërtetuar.

Megjithatë, gazetarët e BIRN kanë verifikuar se situata në terren duket ndjeshëm ndryshe. Në parcelën me sipërfaqe prej 3,877 metrash katrorë nuk ndodhet asnjëri prej tre objekteve, ndërsa një objekti i ri është në ndërtim e sipër, me katin përdhes dhe katin e parë tashmë të ndërtuar, ndërsa dy kate veçse janë ndërtuar në një pjesë të objektit. Punimet e vrazhda të ndërtimit, siç shihet në pamjet e BIRN-it, janë në fazë të avancuar, ndonëse leja e ndërtimit është lëshuar më 7 shkurt të këtij viti.

Sipas të njëjtës leje, objekti i ri, me sipërfaqe prej 1,550 metrash katrorë, duhet të jetë në vendin e objektit prej 95 metrash katrorë, i cili është parashikuar të rrënohet. Megjithatë, pamjet nga Google Earth të gushtit të vitit të kaluar tregojnë se ky objekt ishte rrënuar që atëherë – shumë kohë përpara se të lëshohej leja e ndërtimit – dhe se dy objektet e tjera, rrënimi i të cilave nuk ishte parashikuar në lejen e ndërtimit të lëshuar më vonë, ishin larguar gjithashtu.

Hulumtimi i BIRN tutje zbulon se investitori i ndërtimit të objektit të ri në parcelën e Radoiçiqit është ndërmarrja “Danica Park” nga Beogradi.

Kjo ndërmarrje është në pronësi të Davor Macura, pronarit të “Alta Bank” të cilin disa media vitet e fundit e përshkruajnë si biznesmen të afërt me qeverinë.

Në fakt, deri në vitin 2019, Davor Macura ishte i panjohur për publikun e gjerë, duke qenë pronar i një këmbimoreje në lagjen Zemun të Beogradit – “Alta Pay”. Por, në prill të atij viti, ai bleu njërën nga bankat shtetërore nga koha e ish-Jugosllavisë – bankën “Jubmes”. Në dhjetor të vitit 2018, shteti shpalli shitjen e pakos së aksioneve të saj shumicë. Në prill 2019, Macura bleu atë pako aksionesh, gjë që tërhoqi vëmendjen e publikut, meqë kurrë më parë një këmbimore lokale nuk kishte blerë një bankë.

Pak pasi i shitet Macurës, banka që kishte emrin “Jubmes” tani e ndryshoi atë në “Alta Bank”, duke marrë emrin e këmbimores së Macurës. Macura më vonë bleu edhe aksionet e mbetura të bankës dhe sot është pronari i plotë i saj me 100% pronësi.

Që nga ai moment, suksesi i biznesit të Macurës ka vazhduar tutje, ashtu që deri më 2021 bleu fabrikën e madhe të makinerive bujqësore IMT, e cila ishte në falimentim. Duke blerë IMT-në, Macura u bë pronar i tokës së vlefshme në Novi Beograd, ku sot është duke u ndërtuar një kompleks banesor-afarist prej një milion metrash katrorë.

Kohët e fundit, Macura gjithashtu është futur në biznes fitimprurës me ndërmarrjen publike Elektroprivreda Srbije (EPS). Siç është raportuar së fundmi nga TV N1, EPS bëri të mundur që kompania e Macurës Alta Pay të ngarkojë komision për pagesën e faturave të energjisë elektrike përmes faqes së internetit të ndërmarrjes publike, gjë që, sipas televizionit, do t’i mundësonte kompanisë të realizojë fitime të mëdha pa asnjë investim.

Kështu, në një kohë të shkurtër, Macura kaloi nga një këmbimore me fitim të vogël në pronar të një banke, pronave të vlefshme dhe një sërë kompanish.

Një nga kompanitë e Macurës është edhe “Danica Park,” e cila është edhe investitor i ndërtimit të objektit në parcelën e Milan Radoiçiqit në Dedinje.

Sipas lejes së ndërtimit të 7 shkurtit të këtij viti, në parcelën e Radoiçiqit do të ndërtohet një objekt banimi, i cili ka bodrum, kat përdhes, katin e parë dhe një kat të tërhequr, me sipërfaqe totale bruto të ndërtimit prej 1550.80 metra katrorë.

Sipërfaqja e pjesës mbi tokë të objektit do të ketë gati një mijë metra katrorë, dhe do të ketë vetëm një njësi banimi. Leja e ndërtimit nuk tregon se çfarë do të ndërtohet në gati 600 metra katrorë të pjesës nëntokësore të objektit. Leja e ndërtimit gjithashtu miratoi ndërtimin e nëntë vendeve parkimi të jashtëm, si dhe kryerjen e punimeve për ndërtimin e një pishine të hapur me dimensione 6.44 m me 14.02 metra.

Vlera e parashikuar e punimeve është gati 2.7 milionë euro. Kjo do të thotë që së paku 2.7 milionë euro do të investohen në vilën e re në parcelën e Milan Radoiçiqit, ndërsa vlera e saj aktuale do të përcaktohet pas përfundimit të ndërtimit në bazë të rritjes së kostove që lindin gjatë ndërtimit.

Megjithëse leja e ndërtimit është lëshuar më 7 shkurt 2024, ndërsa ligjërisht e plotfuqishme do të mund të bëhej jo më herët se më 15 shkurt, pamjet nga Google Earth të datës 17 shkurt tregojnë se së paku një kat mbi tokë veçse ishte ndërtuar dhe strukturat e vjetra ishin rrënuar shumë kohë para lëshimit të lejes, e cila leje parashihte vetëm rrënimin e njërit objekt – ato struktura nuk ishin më në pamjet nga gushti 2023.

Objekti në ndërtim, majtas në foto, është duke u ndërtuar në tokën e Milan Radoiçiqit, dhe objekti djathtas, me çati të zezë, është duke u ndërtuar nga Lilana Bozhoviq, gruaja e Zvonko Veselinoviqit.

Objekti në ndërtim, majtas në foto, është duke u ndërtuar në tokën e Milan Radoiçiqit, dhe objekti djathtas, me çati të zezë, është duke u ndërtuar nga Lilana Bozhoviq, gruaja e Zvonko Veselinoviqit. Fotografi: Google Earth, shkurt 2024.

Ndërtimi i objektit është në fazë të avancuar, ndonëse në Regjistrin Qendror të Procedurave të Integruara për lëshimin e kushteve të ndërtimit, lejeve të ndërtimit dhe dokumenteve të tjera të nevojshme për ndërtim nuk ka informacion për plotfuqishmërinë e lejes së ndërtimit, as për fillimin e punimeve apo përfundimin e themeleve, siç kërkohet me legjislacion.

Radoiçiq, Veselinoviq dhe Petroviq janë fqinjë edhe në një pjesë tjetër të Dedinjes

Kjo është tashmë pasuria e dytë e paluajtshme në Dedinje që lidhet me Radoiçiqin. BIRN ka shkruar për të parën në nëntor të vitit të kaluar.  Në fakt, Radoiçiq ka regjistruar vendbanimin në një adresë në rrugën Rajka Mitiq ku ndodhet një apartament luksoz prej 245 metrash katrorë dhe tre garazhe, të cilat janë në pronësi të kompanisë “Rad 028” të regjistruar në Zveçan, në veri të Kosovës.

Kompania “Rad 028” ka qenë shpeshherë në qendër të mediave joqeveritare viteve të fundit, me spekulime se Radule Steviq, i regjistruar si themelues i saj në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, është vetëm pronar fiktiv dhe se kompania është në kontroll të vërtetë nga Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq.

Si kompania “Rad 028” ashtu edhe Radule Steviq, por edhe Milan Radoiçiq, Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko, janë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA që nga 8 dhjetori 2021.  Në atë kohë, është theksuar se grupi i Veselinoviqit, që përfshinte vëllain e tij Zharko, Milan Radoiçiq, Steviqin dhe disa të tjerë, ishte përfshirë në një skemë të madhe mitmarrjeje me zyrtarët e sigurisë në Kosovë dhe Serbi, duke bërë të mundur që grupi të tregtonte ilegalisht mallra, para, drogë dhe armë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.  Në atë kohë, Steviq mohoi akuzat e autoriteteve amerikane për përfshirjen e tij në aktivitete të paligjshme.

Në të njëjtën adresë në rrugën Rajka Mitiq, Nikola Petroviq gjithashtu posedon një apartament me gjashtë dhoma, me 261 metra katrorë dhe tre garazhe prej 16 metrash katrorë secila, ndërsa afër saj ndodhet një vilë për të cilën BIRN ka shkruar që në vitin 2018, se i përket kompanisë Inkop.  Pas ngjarjeve në Banjskë, më 2 tetor të vitit të kaluar, Milan Radoiçiq u largua pa kompensim nga Inkop, dhe vila dhe kompania tani janë të Zvonko Veselinoviq dhe vëllait të tij Zharko.

Kush dhe çfarë po ndërton në parcelën e gruas së Zvonko Veselinoviqit

“Danica Park” ishte gjithashtu investitor në ndërtimin e një objekti prej mbi 1,700 metrash katrorë në parcelën ngjitur, e cila, siç zbulon BIRN, është në pronësi të Lilana Bozhoviqit, gruas së Zvonko Veselinoviq, kumbarit të Radoiçiqit. Me ndryshimin e fundit të lejes së ndërtimit, më 21 maj 2024, investitor u bë gruaja e Veselinoviqit, Lilana Bozhoviq. Nga vendimi për ndryshimin e lejes së ndërtimit mësojmë se Bozhoviq dhe kompania “Danica Park” nënshkruan kontratë të shitblerjes për transferimin e pronësisë mbi parcelën më 11 tetor 2023.

Në atë parcelë nuk ka objekte të ndërtuara, përveç se në një pjesë të saj, sipas shënimeve të GeoSrbija, ka qenë një pjesë e vogël e objektit të vjetër nga parcela e Radoiçiqit, ajo prej 180 metrash katrorë.

Regjistri Qendror tregon se gruaja e Veselinoviqit ka dorëzuar kërkesë për lëshimin e kushteve të ndërtimit më 26 prill, por ky dokument nuk është ende publikisht i disponueshëm. Sipas të dhënave aktualisht të disponueshme në Regjistrin Qendror, mund të shihet vetëm se kërkesa për kushte, përveç parcelës në pronësi të Lilana Bozhoviq, i referohet edhe disa parcelave të afërme, që janë në pronësi të qytetit të Beogradit. Më e madhja është e mbuluar me pyje dhe zë gati 16,000 metra katrorë, dhe gjendet në anën tjetër të Bulevardit Princi Aleksandër Karagjorgjeviq, në raport me parcelën në pronësi të Bozhoviqit.

Gruaja e Veselinoviqit, Lilana Bozhoviq, është drejtoreshë e kompanisë Dolly Bell, e është regjistruar për veprimtari hoteliere dhe akomodimit të ngjashëm. Pronarët e asaj kompanie janë burri i saj Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko. Kompania Dolly Bell është pronare e hotelit Grey në Kopaonik.

Në parcelën e Lilana Bozhoviqit, “Danica Park” në pronësi të Macurës fillimisht ka marrë leje ndërtimi në fillim të verës së kaluar. Leja e ndërtimit autorizoi ndërtimin e një objekti banesor me një kat, me sipërfaqe totale bruto prej rreth 1,720 metra katrorë, nga të cilat sipërfaqja mbi tokë është 680 metra katrorë. Nga kjo leje ndërtimi nuk është e qartë se çfarë do të ketë në më shumë se një mijë metra katrorë nën tokë, pasi në atë pjesë të objektit janë aprovuar vetëm dy vende parkimi. Edhe ky objekt do të ketë një njësi banimi dhe tri vende parkimi të tjera në hapësirën e jashtme. Sikurse në parcelën e Radoiçiqit, në parcelën e Veselinoviq do të ndërtohet një pishinë me përmasa 14 me 4 metra. Vlera e përafërt e punimeve në këtë objekt është rreth 3 milionë euro.

Leja e ndërtimit u lëshua më 9 qershor 2023, ndërsa në shënimet e cekura më parë nga Google Earth, të realizuara të njëjtin muaj – 10 ditë më vonë, mund të shihet se punimet në gërmimin e themeleve veçse ishin në fazë të avancuar, ndërsa pamjet nga BIRN-i të fundit të prillit të këtij viti tregojnë se objekti tashmë ishte nën çati.

Edhe në këtë rast, ndërtimi është kryer ndonëse Regjistrin Qendror nuk ka të dhëna për përfundimin e lejes së ndërtimit, miratimin e punimeve, ose përfundimin e themeleve, siç kërkohet me rregullore.

Lilana Bozhoviq së fundi është bërë pronare e parcelës së vogël në afërsi, me 32 metra katrorë.

Trio i pandashëm i fqinjëve: Petroviq, Radoiçiq, Veselinoviq

Pronat e Radoiçiqit në Bulevardin Princi Aleksandar Karagjorgjeviq, si dhe ajo në Rajka Mitiq, ku e ka të regjistruar vendbanimin, ndodhen në afërsi të dy pronave të reja dhe me vlerë, që janë në pronësi të Nikola Petroviqit, kumbarit të pasur të Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq. Dihet gjithashtu që Petroviq është shumë i afërt me Radoiçiq dhe Veselinoviq, dhe BIRN kishte publikuar një fotografi të tyre të përbashkët që në vitin 2018.

Petroviq, Radoiçiq dhe gruaja e Veselinoviq blenë parcela pranë njëri-tjetrit brenda vetëm disa muajsh – nga fundi i vjeshtës së vitit të kaluar deri në fund të marsit të këtij viti.

Në fakt, deri më 15 mars, parcelat e reja të Petroviq ishin të regjistruara në emër të “Danica Park”, ndërsa pas verifikimit të ardhshëm të BIRN-it në regjistrin e tokës më 29 mars të këtij viti, ato parcela ishin transferuar veçse në pronësi të tij.

Në parcelën e parë të Petroviqit, me gjithsej sipërfaqe prej gati 2,800 metra katrorë, ai është regjistruar në regjistër të tokës si pronar i tokës dhe pronar i një objekti të legalizuar me sipërfaqe prej gati 550 metra katrorë. Megjithatë, të dhënat nga Google Earth të muajit gusht të vitit të kaluar tregojnë se ky objekt në atë kohë veçse ishte rrënuar. Regjistri Qendror nuk tregon leje të lëshuar për punime në atë parcelë.

Parcela e dytë fqinje, me sipërfaqe prej 1,189 metra katrorë, e cila ndodhet përballë truallit me ndërtesë luksoze banimi prej 1,325 metra katrorë dhe me pishinë në pronësi të Nikola Petroviqit, për të cilin opinioni publik është informuar prej kohësh, është regjistruar në kadastër si tokë ndërtimore ku ndodhet një pemishte.

Në këtë parcelë nuk ka asnjë objekt të regjistruar në kadastër, por në pamjet satelitore të GeoSrbija nga viti 2020/2021, shihet qartas një objekt më i madh, i cili ndërkohë është rrënuar. Rrënimi i këtij objekti, i cili më parë i përkiste kompanisë së Novica Tonçev, zyrtar i lartë i SPS, ndodhi pasi dokumenti për legalizimin e tij u anulua dhjetë vjet më vonë bazuar në një propozim nga kompania “Danica Park.”

Pamjet e BIRN-it tregojnë një fushë tenisi të ndërtuar midis vilës së Lilana Bozhoviq, parcelave të reja të Petroviqit dhe vilës së tij të ndërtuar disa vite më parë. Krahasimi i pamjeve nga Instituti Gjeodezik dhe BIRN tregon se fusha e tenisit është ndërtuar në parcelën në pronësi të Qytetit të Beogradit dhe është regjistruar si rrugë, ose pjesë e një rruge.

Në këtë parcelë, me sipërfaqe prej 428 metrash katrorë, në kadastër nuk ka të dhëna për objekte të tjera të ndërtuara, përveç rrugës. Megjithatë, fusha e tenisit, siç tregojnë pamjet nga Google Earth, ishte ndërtuar në gusht të vitit të kaluar.

Novica Tonçev më parë ishte pronari i parcelës së Petroviqit

Njëra nga dy parcelat e reja të Petroviqit, me sipërfaqe prej 1,189 metrash katrorë, ka një histori të komplikuar ligjore. Para se të kalonte në pronësi të tij, atë e kishin në pronësi disa persona, ndërsa pronarë të fundit ishin kompanitë e Novica Tonçev dhe Davor Macura – “Tončev Gradnja” dhe “Danica Park.”

Deri më 20 mars të vitit të kaluar, kjo parcelë ishte në pronësi të “Tončev Gradnja,” pas së cilës pronar bëhet “Danica Park,” dhe pas 15 marsit 2024, Nikola Petroviq.

Parcela me shtëpi prej 224 metrash katrorë, një garazh dhe një pemishte me 965 metra katrorë, me vlerë prej 116,375,000 dinarësh, iu dha kompanisë “Danica Park” në një proces përmbarimi për shkak të borxhit që “Tončev Gradnja,” pronari i atëhershëm i këtyre pronave, kishte ndaj kompanisë së Macurës.

Tonçev mori borxh 700,000 euro nga “Danica Park” më 4 nëntor 2022, të cilat, sipas marrëveshjes, duhej t’i kthente brenda më pak se 20 ditësh.

Duke qenë se “Tončev Gradnja” nuk i ktheu paratë brenda këtij afati, vetëm katër ditë më vonë – më 29 nëntor 2022, “Danica Park” dorëzoi Propozim për Përmbarim në Gjykatën Komerciale në Beograd për mbledhjen e borxhit mbi parcelën e përmendur që ishte në pronësi të “Tončev Gradnja.”

I gjithë procesi i ekzekutimit, i drejtuar nga ekzekutori Ratko Vidoviq, sipas dokumentacionit në të cilin BIRN siguroi qasje, përfundoi në fund të marsit të vitit të kaluar, kur “Danica Park” bëhet pronare e parcelës, për të kaluar një vit më vonë në pronësi të Nikola Petroviq.

Interesant është fakti që Tonçev mori borxh prej 700,000 euro nga “Danica Park” pasi e njëjta kompani e Macurës kishte parashtruar kërkesë në Sekretariatin për Legalizim verën e vitit 2021 për anulimin e legalizimit të objekteve në të njëjtën parcelë të Novica Tonçev. Kërkesa kishte të bënte me legalizimin e përfunduar në vitin 2010.

Në kërkesën e dorëzuar nga “Danica Park” në pronësi të Macurës ishte theksuar se objektet që i përkisnin “Tončev Gradnja” në atë kohë ishin legalizuar në mënyrë të paligjshme, sepse garazhi nuk ndodhej vetëm në atë parcelë, por edhe pjesërisht në parcelën 20105/3, e cila është në pronësi të Qytetit të Beogradit dhe është rrugë publike.

Paradoksalisht, ishte pikërisht kjo parcelë ku, disa muaj pas marrjes së parcelës fqinje nga “Danica Park” për shkak të borxhit, dikush ndërtoi një fushë tenisi. Kjo parcelë ende është regjistruar në kadastër si pjesë e rrugës në pronësi të shtetit, dhe në Regjistrin Qendror ka vetëm një leje ndërtimi për kryerjen e punimeve të infrastrukturës së komunikimit.

Nuk ka asnjë gjurmë të shkruar se kush e ndërtoi fushën e tenisit, por fakt është që ajo është e rrethuar nga parcelat dhe objektet në pronësi të Nikola Petroviq, Milan Radoiçiq dhe gruas së Zvonko Veselinoviq.

Ndërkohë, kërkesa për anulimin e legalizimit u paraqit nga “Danica Park” në pronësi të Macurës, si pronar i parcelës fqinje.

Kjo kërkesë u pranua nga Sekretariati për Legalizim si e bazuar, dhe vendimi për anulimin e legalizimit u nënshkrua nga drejtuesi i asaj kohe Nemanja Stajiq, më 10 shtator 2021. BIRN ka shkruar disa herë për veprimet e tij të paligjshme në krye të institucionit të përmendur.

Bazuar në atë kërkesë, Sekretariati për Çështje të Inspektimit, në qershor të vitit 2022, lëshoi një vendim për rrënimin e të dy objekteve – shtëpisë dhe garazhit, brenda shtatë ditëve.

Më pak se pesë muaj më vonë, “Tončev Gradnja” mori borxhin e përmendur nga “Danica Park” prej 700,000 euro, pas së cilës humbi dhe parcelën.

Në një deklaratë për BIRN, Tonçev shpjegon se ai e kishte blerë shtëpinë e diskutuar me të gjitha dokumentet e vlefshme të legalizimit, se ai nuk ishte investitor, por se kishte blerë shtëpinë të ndërtuar dhe të legalizuar, dhe për dëmin që i është shkaktuar nga rrënimi, ai fajëson Qytetin e Beogradit.

“Ma anuluan lejen e ligjshme. Objektin e kam blerë me leje shfrytëzimi dhe ndërtimi (gjegjësisht dokumentin e vlefshëm për legalizim sipas ligjit të vjetër). Në vendimin që kam marrë, Qyteti i Beogradit e quan Tončev Gradnja si investitor, edhe pse kompania jonë nuk e ka ndërtuar atë. Kurrë nuk do ta kishim blerë pa të gjitha dokumentet e rregullta. Pra, e kemi blerë shtëpinë në gjendjen që ishte, dhe e kemi rrënuar në të njëjtën gjendje,” thotë Tonçev, duke shtuar se nuk do ta kishte blerë shtëpinë nëse nuk do të kishte të gjitha dokumentet e rregullta.

Për këtë arsye, thotë më tutje Tonçev, vitin e kaluar ai ka nisur një proces gjyqësor në Gjykatën e Lartë në Beograd kundër Komunës së Beogradit, duke kërkuar dëmshpërblim. Deri tani, thotë ai, janë mbajtur dy seanca, një seancë përgatitore dhe një ku ai ka dhënë dëshminë e tij.

“Para 15 ditësh isha në Gjykatë. Kam deklaruar se nëse Komuna e Beogradit atëherë kishte lëshuar gabimisht lejen (legalizimin), atëherë më paskan mashtruar si blerës. Ata janë përgjegjës. Nëse tani kanë bërë gabim me vendimin për ta anuluar atë leje (legalizim), prapë ata janë fajtorë. Pra, në secilin rast ata janë përgjegjës” përfundon Tonçev.

Ai shpjegon se ka apeluar vendimin për anulimin e dokumentit me të cilin shtëpia ishte legalizuar qysh në vitin 2010, përpara se ai të bëhej pronari i saj, tek organi i shkallës së dytë.

“Ne qysh në vitin 2010 kemi apeluar vendimin për anulimin e dokumentit me të cilin shtëpia ishte legalizuar, përpara se ‘Tonçev gradnja’ të bëhej pronar. Pasi kemi pranuar anulimin e lejes në vitin 2021, avokatët e mi kanë bërë apel tek Këshilli i Komunës, i cili e ka konfirmuar vendimin. Pas kësaj, morëm urdhrin për të rrënuar shtëpinë. Meqë nuk e rrënuam objektin, morëm një urdhër që Komuna do ta bëjë këtë, me shpenzimet tona. Në fund, e kuptova se ishte më mirë që ne të rrënonim objektin vetë dhe të shisnim parcelën,” tha Tonçev për BIRN.

Duke pasur parasysh se pas rrënimit të objektit, parcela e “Tonçev gradnja” i takonte kompanisë së Davor Macura-s, e cila edhe kishte nisur anulimin e legalizimit të shtëpisë dhe garazhit të tij, e pyetëm pse kishte marrë një hua prej plot 700,000 euro nga Macura, të cilën nuk kishte arritur ta kthente në kohën e shkurtër të paraparë në kontratë, për shkak të së cilës borxhi ishte dashur të shlyhej pikërisht me anë të asaj parcele.

“Parcelën ia kemi shitur kompanisë Danica Park, e cila veçse i kishte rreth katër ose pesë hektarë pranë nesh dhe ata ishin të vetmit që mund ta blinin atë. Dhe shitblerja përmes huasë nuk është e paligjshme,” thotë Tonçev.

Në përgjigje të komentit tonë se në dokumentin për anulimin e lejes së ndërtimit (legalizimit) thuhet se procedura ishte nisur me kërkesë të kompanisë së Macura-s “Danica Park”, Tonçev pohon me bindje dhe thotë se Macura nuk ka ushtruar presion mbi të.

“Nuk ka pasur presion mbi mua, e a ka pasur presion mbi vendimin e komunës për të anuluar lejen, këtë nuk e di,” thotë Tonçev.

Vetë filli i konfuzionit ligjor rreth kësaj parcele na kthen në vitin 2000. Pronari i saj në atë kohë ishte i ndjeri Zoran Radoviq, i cili posedonte shtëpinë dhe garazhin e përmendur, të cilat ishin ndërtuar në mënyrë të paligjshme. Atë vit, Radoviq shiti shtëpinë dhe garazhin, por mbeti përdorues i tokës.

Pronari i ri, Goran Mirjaçiq, pa pëlqimin e Radoviqit si përdorues i tokës, kishte ndërmarrë procedurën për legalizimin e pronës dhe këtë e arriti në korrik 2010. Në fund të shtatorit, dhjetë ditë para vdekjes, Mirjaçiq kishte nënshkruar kontratë shitjeje me “Tonçev gradnja”, dhe më 4 nëntor Radoviq kishte kërkuar anulimin e legalizimit, sepse ishte kryer pa pëlqimin e tij si përdorues i parcelës. Nuk kishte pasur përgjigje. Ajo që, megjithatë, Radoviq nuk e arriti deri në vdekjen e tij në vitin 2014, e arriti kompania “Danica Park” e Macura-s pas 11 vjetësh.

Pronari i ndjerë Zoran Radoviq ishte burri i Vera Kraliq nga Beogradi, e cila pas vdekjes së burrit të saj ka trashëguar të drejtën e përdorimit të kësaj parcele, e cila së fundmi kishte kaluar nga pronësia e kompanisë “Danica Park” në pronësi të Petroviqëve. Vera Kraliq ishte në fakt pronarja e parë e kompanisë “Danica Park”, të cilën disa muaj më vonë e shiti te Davor Macura.

Rruga prej parcelave në Bulevardin Knez Aleksandër Karagjorgjeviq deri te përdoruesit e fundit

Kompania “Danica Park” është themeluar në pranverë të vitit 2021 për shitblerje të pasurive të paluajtshme, dhe është regjistruar në adresën ku ndodhet edhe parcela e posa marrë e Milan Radoiçiqit – në Bulevardin Knez Aleksandër Karagjorgjeviq.

Kjo kompani është themeluar më 29 mars 2021, dhe sipas të dhënave nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve (APR), themeluesja e saj ishte Vera Kraliq, e cila njëkohësisht ishte edhe drejtoreshë.

Vera Kraliq, disa ditë më vonë, më 6 prill të po atij viti, si anëtare e kuvendit të kompanisë tregtare, mori vendim për rritje të kapitalit themeltar të kompanisë së saj – “Danica Park”. Rritja e kapitalit u realizua përmes përfshirjes së disa pasurive të paluajtshme në atë kompani tregtare. Nga pronësia e saj e në pronësi të kompanisë kalojnë tre parcela në komunën Savski Venac: njëra prej 6.934 metrash katrorë, një tjetër prej 37 metrash katrorë dhe e treta prej 2.018 metrash katrorë.

Këto parcela nuk ekzistojnë më me ata numra me të cilët Kraliq i kishte futur në kompani, por në dokumentin e rritjes së kapitalit thuhet se parcela më e madhe ndodhet në adresën në Bulevardin Knez Aleksandër Karagjorgjeviq, ku sot ndodhet Milan Radoiçiq.

Zyra e Kadastrës së Republikës nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN-it lidhur me atë se a ishte bërë paraparcelimi i parcelave që Kraliq kishte futur në kompaninë Danica Park, pasi ato nuk ekzistojnë më në kadastër me ata numra me të cilët ishin futur në këtë kompani.

Zyra i referoi gazetarët e BIRN-it tek Shërbimi Kadastral i Pasurive të Paluajtshme të Komunës Savski Venac, e cila nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN-it deri më tash.

Në kapitalin e “Danica Park” janë futur edhe objekte me po aq metra katrorë si ato që janë shembur në parcelën e Radoiçiqit, me qëllim të ndërtimit të një objekti të ri prej 1.550 metrash katrorë.

E gjithë kjo pasuri në vendimin për rritjen e kapitalit të kompanisë u vlerësua në vlerë prej 511.091.520 milionë dinarë, që i bie rreth 4,36 milionë euro.

Dy muaj pasi pronësia mbi pasuritë e saj të paluajtshme me vlerë të madhe u transferua tek kompania “Danica Park”, kjo kompani ndryshoi pronar. 100 për qind e aksioneve të kompanisë u morën nga ndërmarrja ALStone, e cila që nga janari i vitit 2021 është në pronësi të Davor Macura-s. Kjo kompani sot është e regjistruar për qiramarrje dhe menaxhim të pasurive të paluajtshme, dhe më parë ishte në pronësi të kompanisë në falimentim, Bauwesen, nga Lazarevci, e njohur për numrin e madh të tenderëve të fituar në projektet fitimprurëse infrastrukturore shtetërore.

Me kontratën e transferimit të aksioneve të datës 31 maj 2021, të cilën e ka siguruar BIRN, Kraljiq e kishte shitur kompaninë me kompensim prej 437.069.750 dinarë, që i bie rreth 3,7 milionë euro, e që është për 74.021.770 dinarë (rreth 632.660 euro) më pak se vlera e vlerësuar e pasurisë.

Vera Kraliq, Novica Tonçev dhe Davor Macura: Kontesti rreth parcelës

Vera Kraliq, dy vite më vonë, pasi ia shiti të gjitha parcelat Macura-s, ku ajo kishte të drejtë pronësie, më 27 mars 2023, në Gjykatën e Lartë në Beograd filloi procedurë kundër të gjithë pronarëve të mëparshëm të objekteve në parcelën që kompania “Danica Park” mori nga “Tončev gradnja”, duke kundërshtuar vendimin për legalizimin e objekteve në këtë parcelë, duke pretenduar se ka të drejtë përdorimi edhe në këtë parcelë.

Procedurën e nisi kundër Vladimir Mirjaçiqit, djalit të blerësit të parë, të ndjerit Goran Mirjaçiqit, kompanisë “Tončev gradnja” dhe kompanisë “Danica Park” me qëllim që të përcaktojë të drejtën e pronësisë në atë parcelë. Vlera e kontestit është 117 milionë dinarë.

Në padinë të cilën e ka siguruar BIRN, Vera Kraliq, me argumente të ndryshme ligjore përpiqet të dëshmojë se ka të drejtën e përdorimit në parcelë, pasi në vitin 2016, me një vendim gjykate e ka trashëguar atë nga burri i saj i ndjerë Zoran Radoviq.

Vera Kraliq në këtë mënyrë pohon se me vendimin për anulimin e legalizimit, ka pushuar së ekzistuari baza ligjore si për Goran Mirjaçiqin ashtu edhe për “Tončev gradnja” për të marrë të drejtën mbi tokën, pasi këtë të drejtë e kanë fituar nëpërmjet objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme, gjë që, siç pretendonte ajo, është dëshmuar me vendimin e përmendur.

Ajo më tej në padi pretendon se, sipas informatave që kishte, në atë kohë “Danica Park” kishte bërë kërkesë për ndryshim pronësie mbi parcelën e kontestuar, në bazë të konstatimit të përmbaruesit lidhur me pagesën e borxhit prej 700.000 euro që “Tončev gradnja” kishte ndaj “Danica Park”.

“Në këtë mënyrë, pronari i paligjshëm i pronës – Tončev gradnja, përpiqet të largojë pasojat e regjistrimit të tij të mangët përmes procedurës së përmbarimit dhe t’i mundësojë palës së tretë (Danica Park) që të fitojë të drejtën e pronësisë mbi parcelën,” thuhet në padinë të cilën e ka siguruar BIRN.

Megjithatë, më pak se një vit më vonë, më 13 shkurt të këtij viti, Vera Kraliq tërhoqi padinë.

“Unë tërheq tërësisht padinë në këtë rast, të paraqitur nga avokatja Tijana Komazec,” thuhet në dokumentin e paraqitur në gjykatë.

Një muaj më vonë, Gjykata e Lartë vendos që paditësja, Vera Kraliq, në emër të shpenzimeve gjyqësore, t’ia paguajë 98.075 dinarë Vladimir Mirjaçiqit, dhe nga 192.750 dinarë kompanive “Tončev gradnja” dhe “Danica Park”.

Pas kësaj, parcela në Dedinje në kadastër u regjistrua në emrin e kompanisë së Macura-s “Danica Park”, dhe së fundmi në emrin e Nikolla Petroviqit.

BIRN ka tentuar të kontaktojë Vera Kraliqin. Ajo iu përgjigj dy herë thirrjeve telefonike, por tha se nuk na dëgjonte. Për këtë arsye, ne i dërguam një mesazh me tekst me shpjegimin përse po e telefononim, por ajo deri më tash nuk është përgjigjur./BIRN