Foto-Ilustrim

Luksemburgu do të bëhet vendi i parë evropian që legalizon kanabisin

Luksemburgu u ka bërë thirrje fqinjëve të saj në BE që të jenë më të butë me ligjet e tyre për lëndët narkotike pasi ministri i saj i Shëndetësisë konfirmoi planet për t’u bërë vendi i parë europian që do të legalizojë prodhimin dhe konsumin e kanabisit, raporton ‘The Guardian’.

“Kjo politikë e drogës që kemi pasur gjatë 50 viteve të fundit nuk funksionoi”, tha ministri Etienne Schneider. “Ndalimi i gjithçkaje e bëri atë më interesante për të rinjtë … Unë shpresoj se të gjithë ne do të kemi një qëndrim më të hapur ndaj drogës.”

Personat mbi moshën 18 vjeçare pritet të mund ta blejnë kanabisin për përdorim rekreativ me ligj brenda dy viteve. Shteti do të rregullojë prodhimin dhe shpërndarjen përmes një agjencie kanabisi.

Projektligji pritet të zbulohet më vonë këtë vit duke dhënë detaje të mëtejshme mbi llojet e kanabisit që do të dalin në shitje dhe nivelin e taksës që do të vendoset.

Schneider tha që legjislacioni ka të ngjarë të përfshijë një ndalim për jo-rezidentët të blejnë kanabis në mënyrë që të dekurajojnë turizmin e drogës. Edhe rritja e kanabisit nëpër shtëpi ka të ngjarë të ndalohet.

Të miturit nga 12 deri në 17 vjeç nuk do të penalizohen për posedimin e 5 gram ose më pak të drogës, por ata që shkelin ligjet do të goditen me dënime të ashpra sipas planit.

Schneider tha se ai ishte i interesuar të inkurajojë vendet e tjera të BE-së që të ndjekin rrugën e Luksemburgut.