Foto: Presidenca bjelloruse

Lukashenka fiton mandatin e shtatë në Bjellorusi - BE-ja i cilëson votimet si të rreme

Udhëheqësi autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka ka siguruar mandatin e shtatë, pas mbajtjes së Zgjedhjeve presidenciale që udhëheqësit e Bashkimit Evropian i kanë cilësuar si “të rreme”.

Me të gjitha votat e numëruara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Bjellorusi tha se, sipas rezultateve preliminare, Lukashenka ka fituar 86.8% të votave në Zgjedhjet e 26 janarit 2025. Kundërshtari i tij, Sergei Syrankov fitoi 3.2% të votave.

Ministria e Punëve të Brendshme tha se nuk kishte shkelje të mëdha gjatë procesit zgjedhor. Punëtorët e Ministrisë dhe personeli ushtarak “zbatuan masat për të ofruar siguri publike gjatë Zgjedhjeve.” – tha kjo Ministri përmes një postimi në Telegram.

Lukashenka, aleat i Rusisë i cili është në pushtet qe tri dekada, pasi votoi, deklaroi për media se Bjellorusia është një “demokraci e fortë”.

Por, opozita, grupet për të drejtat e njeriut dhe Perëndimi deklaruan të kundërtën.

Grupi avokues, Freedom House, me seli në Uashington, në Raportin e tij të fundit e ka përshkruar Bjellorusinë si një “shtet autoritar në të cilin Zgjedhjet haptazi vidhen dhe liritë civile janë thellësisht të kufizuara”.

Udhëheqësja opozitare, Svyatlana Tsikhanouskaya, e cila jeton në Lituani, shkroi në X më 26 janar se tubimet kundër Zgjedhjeve po mbaheshin në disa qytete në mbarë Evropën – duke shtuar se “Bjellorusia kërkon liri”.

Para Zgjedhjeve, zyrtarë të lartë të BE-së vunë në pikëpyetje legjitimitetin e votimeve dhe fitores së pritur të Lukashenkës.

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, tha se Zgjedhjet ishin “të rreme”. Ajo shkroi në X se “mesazhi im për popullin e Bjellorusisë është: mbahuni të fortë, keni mbështetjen tonë, diktaturës do t’i vije fundi”.

Shefja për Politikë të Jashtme e BE-së, Kaja Kallas kritikoi Lukashenkan – duke thënë se ai ka “kapur pushtetin qe 30 vjet” dhe po e “rizgjedh veten edhe përmes një votimi të rremë”.

“Kjo është një fyerje flagrante për demokracinë.” – shkroi ajo në X.

Megjithatë, Lukashenka hodhi poshtë kritikat e udhëheqësve perëndimorë.

“I pranoni ose jo këto Zgjedhje: është çështje shijesh. Nuk më bëhet vonë. Kryesorja për mua është se bjellorusët i njohin këto Zgjedhje.” – tha ai gjatë Konferencës për media, në Minsk, më 26.01.2025./REL