Presheva. Foto: BIRN

Lugina e Preshevës do reciprocitet për të drejtat e komuniteteve joshumicë

Rreth një orë i janë dashur Shkodran Azizit nga Presheva, komunë në jug të Serbisë, që të marrë tabelat e përkohshme prej letre në Prishtinë për regjistrimin e veturës.

Azizit, si dhe shumë shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, iu kanë dalë punë të reja në nxjerrje të dokumenteve, pas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet për regjistrimet e veturave që hyjnë nga Serbia në Kosovë.

Sipas këtij vendimi, shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë duhet t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.

“Na kanë dalë shumë punë. Atje [në kufi] janë krijuar radhë të gjata dhe po na duhet të presim shumë gjatë, me orë të tëra”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Shkodran Azizi.

Qytetarët nga Lugina e Preshevës thonë se ata persona që duan të shkojnë në Kosovë, po presin më shumë se dy orë për ta kaluar kufirin nga Serbia në Kosovë, ku po marrin një targë prej letre, për të cilën paguajnë pesë euro.

Shumë banorë të Luginës së Preshevës thonë se në rast të masave të tjera reciproke mes dy shteteve, ata mund të përballen edhe me probleme të tjera, varësisht nga vendimet.

Shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë – komuna në jug të Serbisë, që njihen ndryshe edhe si Lugina e Preshevës – kanë shprehur shqetësim lidhur me mosrespektimin e të drejtave të tyre. Ata kërkojnë që të kenë të drejta njësoj sikurse komuniteti serb në Kosovë.

Disa ligje në Kosovë nuk mund të votohen dhe as të ndryshohen pa mbështetjen e deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës. Madje as Kushtetuta e Kosovës nuk mund të ndryshohet pa votat e tyre.

Gjatë procesit të bisedimeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më 2015 ishte arritur një marrëveshje për njohjen e diplomave universitare të lëshuara nga shtetet përkatëse. Serbia nuk e ka respektuar këtë marrëveshje.

Shkodran Azizi thotë se në mungesë të pranimit të diplomës në Serbi, është detyruar që të kërkojë punë në Prishtinë. Ai kërkon që të ketë reciprocitet edhe sa i përket çështjes së diplomave universitare.

“Kam punuar atje, mirëpo pas gjashtë vjetësh e gjysmë jam detyruar të largohem nga Presheva për shkak se nuk i kanë njohur [diplomat e Kosovës] e as ato që i ka nostrifkuar Bashkimi Evropian”, thotë Azizi, duke shtuar se ky është vetëm një nga problemet me të cilat përballen shqiptarët në Luginë të Preshevës.

Ai konsideron që para se Qeveria e Kosovës të ndërmarrë vendime të tjera reciproke me Serbinë, duhet të bisedojë me udhëheqësit e Luginës.

Edhe Shpend Isufi nga Presheva thotë se çdo pengesë që Kosova mund t’ia paraqesë Serbisë tash apo edhe në të ardhmen, në radhë të parë ato do të mund t’i prek137 shqiptarët që jetojnë në Serbi.

“Çdo pengesë këtu për ta [serbët], ata na pengojnë ne atje. Kurse serbët në Kosovë kanë lëshime për çdo gjë si për [librat] arsim e për ekonomi, gjithmonë. Do të thotë, serbët i kanë të drejtat e tyre. Edhe në Serbi të drejtat e minoriteteve janë të shënuara edhe në ligje, por ato nuk respektohen, gjithmonë pengohemi. Çfarëdo mase reciproke që merret nga Kosova, shqiptarët do të pengohen në Serbi”, thotë ai.

Lidhja Kosovë-Luginë e Preshevës

Përfaqësuesit politikë në Luginë të Preshevës thonë se e kanë mirëpritur vendimin e Kosovës për reciprocitetin për targat, pasi sipas tyre, një vendim i tillë fuqizon sovranitetin e Kosovës. Por, siç thonë ata, kjo çështjeparaqet problemedhe për qytetarët që janë të lidhur me Kosovën.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi, thotë se shqiptarët në Luginën e Preshevës presin nga Qeveria e Kosovës që t’i vendosë Serbisë reciprocitet mbi të drejtat e komuniteteve joshumicë, në veçanti për të drejtat e shqiptarëve në Serbi.

“Që nga njohja reciproke e diplomave dhe certifikatave profesionale edhe pas kaq vitesh që nga Marrëveshja e Brukselit, nuk është bërë asnjë hap sa u takon njohjes së tyre, e aq më tepër sa u takon teksteve shkollore. Në Kosovë, komunitetit serb i lejohet edhe sistemi arsimor, por edhe përdorimi i materialeve arsimore nga Republika e Serbisë”, thotë Mustafi.

Ndërkaq, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, thotë për Radion Evropa e Lirë se masa e reciprocitetit për targat e ka vështirësuar qarkullimin e qytetarëve, por siç thotë ajo, po presin vendime të reja që do të ndihmonin qytetarët e Luginës së Preshevës.

“Është e vërtetë që vendimi i fundit për reciprocitet ka vështirësuar qarkullimin e qytetarëve drejt Kosovës, por jemi duke pritur vendime të tjera për lehtësimin e tyre. Çdo vendim për mirëqenien e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është i mirëseardhur”, thotë Sinani.

Që prej 20 shtatorit, kur u vendos masa e reciprocitetit, janë të bllokuara dy rrugë nacionale në veri të Kosovës nga serbë lokalë të cilët po protestojnë kundër kësaj mase.

Veturat e Kosovës që kanë kaluar nëpër Serbi, është dashur t’i heqin targat e tyre RKS (Republika e Kosovës) dhe të vendosin targa të përkohshme prej letre.

Çështja e targave ishte e rregulluar Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat KS (Kosovë) ose RKS (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë. Rel