Lugina e mirëpret deklaratën e Thaçit për bashkimin me Kosovën

“Nuk do të ketë shkëmbim të territoreve, do të punoj fuqishëm që Preshevë, Medvegjë, Bujanovc të bashkohen me territorin e Republikës së Kosovës sepse është një korrigjim historik i padrejtësive që kanë ndodhur ndaj nesh”.

Këto ishin fjalët e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi pas përfundimit të takimit me liderët të Ballkanit Perëndimor në Berlin, të cilat nuk i kishte përmendur kohëve të fundit.

E këtë deklaratë të Thaçit, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, e ka përshëndetur.

“Përshëndes deklaratat e presidentit, ato janë inkurajuese e shpresëdhënëse. Kërkesa e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës është më se e qartë.  Ne kemi kërkuar dhe kërkojmë të njëjtit zotim edhe nga liderët tjerë të Kosovës, të respektojnë vullnetin popullor të Luginës së Preshevës”, tha Mustafa për KALLXO.com.

Sipas tij, nuk guxon të përsëritet fati i shqiptarëve nga kongresi i Berlinit i para 141 viteve.

“Zgjidhja e çështjes së Luginës së Preshevës është në kontekstin e këtij dialogu, në një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ndërkombëtarisht të obligueshme”, tha tutje Mustafa.

Ishte pikërisht presidenti Thaçi ai e cili e kishe hedhur në opinion idenë  për ‘korrigjim’ të kufirit e cila sipas tij nënkuptonte bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.

Përmes një takimi të përbashkët me përfaqësuesit e tri komunave të Luginës së Preshevës, në zyrën presidenciale, me 26 korrik të këtij vitit të kaluar, Thaçi kërkoi të respektohet vullneti i qytetarëve të Luginës së Preshevës të bërë përmes referendumit të 1992 për bashkim të këtyre 3 komunave me shumicë shqiptare me Kosovën.

“Do të analizojmë me seriozitetin më të madh të përgjegjësisë politike, kombëtare e profesionale që në kuadër të vazhdimit të dialogut Kosovë- Serbi dhe në kuadër të korrigjimit të kufirit apo demarkacionit në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë të prezantoj edhe kërkesën e institucionalizuar tani më të liderëve dhe qytetarëve të Preshevës për institucionet e Kosovës”, ka thënë presidenti.

Ideja e presidentit Thaçi për ‘korrigjim’ të kufirit nuk u mbështet nga dy krerët e tjerë të shtetit, kryeministri Haradinaj tha se një ide e tillë do të thotë luftë, Kryeparlamentari Veseli tha se kjo ide është e Serbisë  .