Luftimi i trafikantëve të drogës me ndihmën e DEA-s

Përfshirja e Agjencisë amerikane për luftën kundër drogës (DEA), në aksionet e fundit kundër trafikimit me lëndët narkotike në Maqedoninë e Veriut, është sinjal i qartë se organet vendore të ndjekjes penale dhe të policisë nuk janë në detyrën e duhur, thotë për Radion Evropa e Lirë, Lubomir Gjurçevski, ish-drejtor i Policisë maqedonase.

Të premten, më 9 prill, në aksin rrugor Prilep-Rosoman, në jugperëndim të shtetit, policia në bashkëpunim me agjencinë amerikane DEA, gjatë një kontrolli rutinë konfiskuan 200 kilogramë marihuanë, e cila në tregun e zi arrin vlerën prej afro një milion dollarësh.

Nga DEA nuk e kanë komentuar rrjedhën e hetimeve si dhe personat e përfshirë në këtë kontrabandë, por në një prononcim për agjencinë e lajmeve MIA, drejtuesit e DEA-s kanë theksuar përkushtimin për të ndihmuar institucionet në përballje me tregtinë me drogë.

“Do të vazhdojmë të mbështesim Maqedoninë e Veriut në detektimin, pengimin dhe likuidimin e organizatave që merren me tregtinë me drogë”, thuhet në njoftimin e Agjencisë amerikane për luftën kundër drogës.

Ish-drejtori i policisë, Lubomir Gjurçevski dyshon se në këtë operacion policia është lënë anash, veçanërisht pas reagimit të fortë të kryeprokurores së krimit të organizuar dhe korrupsionit, Vilma Ruskovska për dekonspirimin e një operacioni tjetër kundër bandave të drogës në një rajon të Shkupit.

“Përfshirja e kësaj agjencie amerikane është sinjal i qartë se gjërat këtu nuk janë duke shkuar mirë sa i përket luftës kundër drogës”, thotë Lubomir Gjurçevski, ish-drejtor i policisë.

Bashkim Selmani, njohës i çështjeve juridike, thotë për Radion Evropa e Lirë se mosefikasiteti i institucioneve është si pasojë e partive politike, të cilat sipas tij, përmes grupeve të ndryshme kanë menaxhuar qoftë me lëndët narkotike apo veprimet tjera të paligjshme.

“VMRO-ja (partia maqedonase në opozitë) ka bërë kriminalitetin me çështjen e marihuanës, siç e dimë nëpërmjet spitaleve ndërsa LSDM-ja (partia maqedonase në pushtet) ka avancuar çështjen e marihuanës. Tani ndërhyrja e DEA-s është një simbolikë apo një dëshmi se këto dy parti sikur edhe shteti janë në rrugë të gabuar sepse ne kemi kriminalitet institucional dhe këtu është problem, ndërsa ndërhyrja e DEA-s është me tepër si paralajmërim se sa për të shpëtuar këtë vend”, thitë Selmani.

Në Shkup arrestohen 21 trafikantë të lëndëve narkotike (evropaelire.org)

Në një tjetër operacion të zhvilluar paraprakisht në disa zona të Shkupit, u ngritën shqetësimet për dekonspirimin e tij. Policia kishte konfiskuar 80 mijë euro, 300 mijë denarë dhe 600-700 gramë heroinë, por nuk arriti të kapte drejtuesit kryesorë të grupit të trafikantëve. Operacioni kishte zgjatur gati dy vjet, bazuar në deklaratat e prokurores Vilma Ruskoska, e cila doli edhe me dyshimet se në mesin e grupit kishte edhe pjesëtarë të policisë që kishin vënë në dijeni krerët e grupit kriminal me operacionin policor.

“Kur dështoi ky operacion, për dikë u bë e qartë se afërsia e politikanëve në pushtet me grupet kriminale, veçanërisht në fushën e krimit të organizuar, është në një nivel të tillë që madje kërcënon sistemin e sigurisë”, thotë Gjurçeski, i cili dyshimet mbi punën e policisë i ndërlidh edhe me arrestimin e një kryeshefi të policisë në qytetin e Prilepit, i përfshirë në grupet e drogës, përkatësisht në operacionin e fundit ku u sekuestruan 200 kilogramë marihuanë./REL/