Lufta në Ukrainë, ShBA dhe BE pritet t`i ashpërsojnë sanksionet ndaj Rusisë

SHBA dhe BE do të vendosin më shumë sanksione ndaj Rusisë mes akuzave për krime lufte në qytetin ukrainas të Buchas.

Uashingtoni thuhet se po shqyrton t’i ndarmarrë masat që kanë si objektiv dy vajzat e Putinit dhe bankën më të madhe të Rusisë.

SHBA njofton gjithashtu se do ta rrisë ndihmën ushtarake duke dërguar 100 milionë dollarë në sistemet e raketave antitank Javelin në Ukrainë.

Kjo ndihmë e fundit nga SHBA vjen pasi Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky i listoi mizoritë e supozuara ruse, në një fjalim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Duke shfaqur një video të tmerrshme, ai pretendoi se civilët ishin qëlluar në rrugë, ishin hedhur në puse dhe ishin shtypur nga tanket.

Rusia mohoi çdo krim lufte dhe ambasadori i saj në OKB përsëriti pretendime të kundërshtuara për trupat në Bucha.

Sot është dita e 42 e pushtimit rus të Ukrainës. Nëse po na bashkoheni tani, këto janë zhvillimet e fundit në dhe rreth luftës në Ukrainë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, i ka dhënë Këshillit të Sigurimit të OKB-së një rrëfim rrëqethës të mizorive në vendin e tij dhe kërkoi që liderët rusë “të sillen para drejtësisë për krime lufte”. Zelenskiy bëri thirrje për një gjykatë ndërkombëtare të ngjashme me gjyqet e Nurembergut të nazistëve pas Luftës së Dytë Botërore Duke folur për forcat ruse Zelensky tha se “nuk ka asnjë krim të vetëm që ata nuk do ta kryenin atje”.

Mizoritë në qytetin ukrainas të Buchas janë “vetëm një nga shembujt e shumtë të asaj që pushtuesit e kanë bërë në tokën tonë për 41 ditët e fundit,” tha Zelenskiy, duke shtuar se kishte shumë mizori të tjera që bota duhet të mësonte ende të vërtetën e plotë. “Rusia dëshiron t’i kthejë qytetarët e Ukrainës në skllevër të heshtur”, tha ai.

Presidenti i Ukrainës vuri gjithashtu në pikëpyetje aftësinë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ofruar siguri. “Këshilli i Sigurimit i OKB-së ekziston dhe siguria në botë nuk ekziston. Për këdo”, tha ai në fjalimin e tij të natës. “Tani Kievi është kryeqyteti i demokracisë globale, kryeqyteti i luftës për liri për të gjithë në kontinentin evropian0”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, tha se “nuk do t’i harrojë kurrë pamjet e tmerrshme të civilëve të vrarë” në Bucha. Duke folur në këshillin e sigurimit të OKB-së në Nju Jork, ai tha se lufta në Ukrainë është “një nga sfidat më të mëdha” për “rendin ndërkombëtar”. Nënsekretarja e përgjithshme e OKB-së për çështjet politike dhe paqendërtimin, Rosemary DiCarlo, tha se akuzat për dhunë seksuale të kryera nga forcat ruse përfshijnë “përdhunim në grup dhe përdhunime para fëmijëve”.

Avokatja e të drejtave të njeriut në Ukrainë, Lyudmyla Denisova, tha se midis 150 dhe 300 trupa mund të jenë në një varr masiv pranë një kishe në qytetin e Buchas.  

Sipas një zyrtari ukrainas të të drejtave të njeriut, më shumë se një duzinë ushtarësh femra ukrainase të kapur nga forcat ruse iu “nënshtruan torturës dhe keqtrajtimit në robëri”. 15 gratë ishin në mesin e 86 ushtarëve të liruar të premten nga robëria ruse, ku u zhveshën lakuriq në prani të burrave, u detyruan të uleshin, të prisnin flokët dhe u morën në pyetje në një përpjekje për ta thyer moralin e tyre, tha Komisioneri i Parlamentit të Ukrainës për të Drejtat e Njeriut.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se provat nga Bucha tregojnë “një fushatë të qëllimshme për të vrarë, për të torturuar, për të përdhunuar, për të kryer mizori” nga forcat ruse. “Raportet janë më se të besueshme. Provat janë atje për t’i parë bota”, u tha ai gazetarëve. Zëdhënësja e zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut, Liz Throssell, tha se të gjitha shenjat nga Bucha tregonin se civilët ishin shënjestruar dhe vrarë drejtpërdrejt.

Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, India e dënoi vrasjen e civilëve në Bucha dhe bëri thirrje për një hetim të pavarur. Izraeli gjithashtu i dënoi “krimet e luftës” të Rusisë në Ukrainë në një deklaratë.

Kremlini tha se pretendimet se forcat ruse kryen krime lufte duke ekzekutuar civilë në Bucha ishin një “falsifikim monstruoz” që synonte “denigrimin” e ushtrisë ruse. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se deklaratat e presidentit amerikan Joe Biden që bënte thirrje që presidenti rus Vladimir Putin të gjykohej për krime lufte, ishin të papranueshme dhe të padenja për një udhëheqës amerikan.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se takimi i ministrave të jashtëm të NATO-s dhe G7 të mërkurën dhe të enjten do ta diskutojë dërgimin e armëve të avancuara në Ukrainë. Municionet, furnizimet mjekësore dhe sistemet e armëve “të nivelit të lartë” do të diskutohen gjithashtu, shtoi ai.

SHBA dhe aleatët e saj po planifikojnë më shumë sanksione ndaj Rusisë me objektivin për t’i “shteruar burimet që i ka Putin në dispozicion për ta vazhduar luftën e tij kundër Ukrainës”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki. Dënimet e reja do të përfshijnë ndalimin e të gjitha investimeve të reja në Rusi dhe sanksione më të mëdha ndaj institucioneve të saj financiare dhe ndërmarrjeve shtetërore. Ndaras nga kjo, Departamenti i Thesarit i SHBA-së mori vendim për ta bllokuar çdo pagesë të borxhit të qeverisë ruse me dollarë amerikanë nga llogaritë në institucionet financiare amerikane, duke e bërë më të vështirë për Rusinë t’i përmbushë detyrimet e saj financiare.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se BE-ja po propozon gjithashtu sanksione të reja kundër Rusisë, duke përfshirë ndalimin e importit të qymyrit me vlerë 4 miliardë euro në vit. Paketa do të përfshijë një ndalim të plotë të transaksioneve në katër banka kryesore ruse, një ndalim të hyrjes së anijeve ruse në portet e BE-së, si dhe ndalimin e synuar të eksportit dhe importit.

Pothuajse dyqind anëtarë të stafit diplomatik rus janë dëbuar nga vendet evropiane këtë javë në një shprehje të drejtpërdrejtë të zemërimit të qeverive për vrasjet e civilëve ukrainas. Në atë që përbën një nga dështimet më të mëdha diplomatike të viteve të fundit, 206 diplomatëve rusë dhe personelit të ambasadës u është thënë që nga e hëna se nuk janë më të mirëpritur të qëndrojnë nga qeveritë në Itali, Francë, Gjermani dhe gjetkë.

Polonia ka nënshkruar një marrëveshje prej 4.75 miliardë dollarësh për 250 tanke amerikane Abrams nga Shtetet e Bashkuara.

Dërgesat janë planifikuar të fillojnë më vonë këtë vit pasi Polonia, një anëtare e NATO-s që kufizohet me Ukrainën në lindje, po e rrit mbrojtjen e saj pas pushtimit të fqinjit të saj Ukrainës nga Rusia. Tanket amerikane të linjës më të sofistikuar do të shkojnë në Divizionin e 18-të të Mekanizuar të Ushtrisë Polake, i cili është i vendosur pranë kufirit me Ukrainën.

Kryeministri britanik Boris Johnson u bëri thirrje qytetarëve rusë të mos bien në propagandën e Putinit dhe t’i anashkalojnë rregullat e ashpra të censurës së internetit duke instaluar teknologji për ta zbuluar shtrirjen e plotë të krimeve të luftës të kryera gjatë pushtimit të Ukrainës./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala