Fondi Monetar Ndërkombëtar

Lufta në Ukrainë ndikoi në rritjen e çmimeve dhe rënie të ekonomisë edhe në Kosovë

Sikurse në aktivitetin ekonomik në Europë, edhe ekonomia e Kosovës po i ndjen pasojat e luftës në Ukrainë dhe nivelet e inflacionit, sipas vlerësimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

FMN në mes tjerash tregon se kjo ka ndikuar negativisht në të ardhurat e ekonomive familjare.

 “Çmimet më të larta të ushqimit dhe energjisë kanë shkaktuar rritje të inflacionit, gjë e cila ka ndikuar negativisht në të ardhurat reale të disponueshme të ekonomive familjare dhe në kërkesën private”- thuhet në njoftimin e FMN-së.

Gjithashtu, çmimet më të larta të inputeve kanë bërë që të rivlerësohen kostot e projekteve investuese, gjë që është reflektuar në realizim më të ngadaltë të programit të investimeve publike.

Sipas FMN-së, rritja reale e ekonomisë vendase u ngadalësua në 4.5 për qind.

“Rrjedhimisht, rritja reale e BPV-së pësoi ngadalësim, me 4.5 për qind në TM1 2022 dhe 2.1 për qind në TM2 2022 (të dyja v/v), duke shënuar rënie pas një rritjeje të jashtëzakonshme prej gati 11 për qind vitin e kaluar. Inflacioni arriti në 14.4 për qind në korrik 2022 (v/v), por më pas pësoi rënie graduale. Përderisa çmimet e ushqimit dhe energjisë së bashku kanë kontribuar me 80 për qind të inflacionit deri më tani më 2022, inflacioni bazë ka filluar të rritet duke ndjerë efekte të buta të raundit të dytë. Në këtë drejtim, stafi parashikon që inflacioni bazë do të arrijë në 4.4 për qind në vitin 2022 (nga 2.2 për qind në 2021)”- e thotë FMN.

Në anën tejtër, FMN tregon se realizimi i të hyrave më të mëdha fiskale, ka mundësuar Qeverisë të zbusë ndikimin nga tronditjes tregtare tek ekonomitë familjare dhe bizneset, duke rimbushur edhe rezervat e likuiditetit

Qeveria rialokoi 2.6 për qind të BPV-së në prill, si dhe 1.7 për qind të BPV-së në shtator në formë të masave të përkohshme për të siguruar shtesa të pensioneve dhe ndihmës sociale, bonuse pagash dhe subvencione të energjisë elektrike për ekonomitë familjare dhe bizneset.

FMN tregon se cka ndikoi në rritje e të hyrave fiskale

“Në të njëjtën kohë, realizimi më i lartë i të hyrave fiskale, si pasojë e përpjekjeve të suksesshme për formalizim të ekonomisë nga ana e administratës tatimore (ATK) dhe inflacionit më të lartë, si dhe aplikimi i një politike fiskale përgjithësisht të matur (e reflektuar në një deficit të përgjithshëm fiskal të parashikuar prej më së shumti 1 për qind të BPV-së për vitin 2022) kanë bërë që depozitat qeveritare të rimbushen, duke rritur kështu hapësirën për politika ne drejtim te zbutjes së tronditjeve të ardhshme”- bën të ditur FMN.

Tek kreditimi bankar, FMN thotë se vazhdoi të rrjedhë, kundrejt një likuiditeti adekuat dhe rezervave kapitale, si dhe nivelit të ulët të kredive joperformuese (KJP). Megjithatë, shtrëngimi i kushteve financiare në Eurozonë është duke rezultuar në rritje të normave të depozitave dhe kreditimit, ndërsa rritja e kreditimit në terma realë pësoi ngadalësim në krahasim me vitin 2021.

Këtë vlerësim Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) e jep pas vizitës në Prishtinë të misionit nën udhëheqjen e Gabriel Di Bella nga 25 tetori deri më 4 nëntor.

KALLXO.com gjithashtu raportoi se Bruto Produkti Vendor apo BPV-ja reale sipas FMN-së, pritet të shënojë rritje prej 3 deri 4 për qind në vitin 2023.

FMN, ekonomia e Kosovës pritet të rritet rreth 4% në vitin 2023